Amnistia e mundshme për pjesëmarrësit në dhunën në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017, nuk është asgjë tjetër pos pazar politik, apo kontrabandë me Gjyqësorin për qëllime tjera politike, thonë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar lirimin e diskutueshëm të dhjetëra personave, në mesin e të cilëve edhe të gjashtë deputetëve që po gjykohen për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.

Propozimi për amnisti apo falje është iniciuar nga kryeministri Zoran Zaev, para votimit të nismës për ndryshime kushtetuese, ndërsa filloi të finalizohet pasi mori mbështetje nga deputetët që po gjykohen për 27 prillin, pa votat e të cilëve do të ishte i pamundur kalimi i fazës së parë të zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Këta duan që në njërën anë të mos dëmtohet Gjyqësori, ndërsa në anën tjetër ndërhyjnë në mënyrë indirekte, që është e papranueshme për sistemin e drejtësisë. Vetëm pasi të jetë sjellë vendimi gjyqësor apo pasi të jetë shqiptuar masa e dënimit, mund të bisedohet për falje apo të ngjashme, kjo është ana juridike”.

“Por, kjo siç bëhet tani, është e pakuptimtë dhe e papranueshme në aspektin juridik. Këtu, thjesht, kemi të bëjmë me pazare politike, me të cilat kontrabandohet sistemi gjyqësor”,

thotë Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetin e Tetovës.

Ligji i mundshëm për amnisti nuk është asgjë tjetër pos shpërblim për ata deputetë që siguruan dy të tretat në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, thotë ndërkohë Vlladimir Bozhinovski, njohës i çështjeve politike.

“Ideja ishte që të binden disa deputetë që të votojnë për Marrëveshjen me Greqinë. Pra, nëse nisemi nga qëllimet për miratimin e Ligjit për amnisti, gjithçka është e qartë, ai propozohet për t’i shpërblyer ata deputetë që siguruan dy të tretat e votave të nevojshme”.

“Nëse nuk do të kishte nevojë për votat e tyre, as që do të hapej ndonjëherë debati për amnisti apo falje dhe kjo duhet të përfshijë të gjithë ata që janë përfshirë në padinë për ngjarjen në Kuvend. Si reflektohet kjo tani në Gjyqësor, unë vlerësoj se nuk ka njeri në vend që beson se Gjyqësori është i pavarur”,

vlerëson Bozhinovski

Me mbylljen e dhunës në Kuvend me amnisti, jo vetëm që rrënohet sundimi i së drejtës, por edhe përçohet mesazhi se Maqedonia ende nuk është e gatshme për zbatimin e vlerave evropiane për Gjyqësor të pavarur dhe luftimin e krimit, konsideron Naser Zyberi, njohës i çështjeve juridike.

Ai thotë se Maqedonia ka të drejtë të arrijë marrëveshje dypalëshe, siç është edhe kjo me Greqinë për emrin, por assesi nuk guxon që zbatimin e saj ta realizojë përmes shkeljeve tjera që mund të kenë pasoja për vendin.

Deputetët e VMRO-së qëndrojnë në këmbë, duke bojkotuar kështu nisjen e ndryshimeve kushtetuese, që janë të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes së emrit. 19 tetor, 2018.

 “A ka legjitimitet një strukturë qeverisëse që për hir të realizimit të koncepteve të saj politike, të bëjë koncesione në dëm të sistemit juridik? Kjo është çështja që shtrohet aktualisht. Është e pamohueshme se Qeveria ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe dhe ndërkombëtare, por vënia në funksion e atyre marrëveshjeve, a duhet të shkojë në dëm të Gjyqësorit?”

“Sigurisht se jo, pasi këto dy procese, gjykimi për 27 prillin dhe Marrëveshja për emrin, janë përjashtuese njëra me tjetrën, njëri proces është politik dhe tjetri juridik. Është diskutabile se sa këto janë kompatibile me vlerat themelore të BE-së dhe NATO-s për sundim të ligjit, për eliminimin e dukurive devijuese, etj”

, thotë Zyberi.

Ndryshe, në dy proceset e fundit gjyqësore për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill 2017, disa nga të akuzuarit për herë të parë kanë folur për organizatorët e ngjarjeve të dhunshme, duke apostrofuar personalitete të larta të Qeverisë së kaluar dhe të VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili ka fituar azil politik në Hungari pas arratisjes nga Maqedonia për t’i ikur dënimit prej dy vjet burgim për shpërdorim detyre. Po për vepra të njëjta ai po gjykohet edhe në të paktën katër procese tjera gjyqësore./REL