Ruben Amorim mendon se Manchester United nuk do të ketë probleme në merkato për të bindur objektivat e mundshëm në merkaton e verës, pavarësisht se ekipi nuk është në një pozicion të mirë në Premier League.

“Djajtë e kuq” gjenden në vend të 14 në renditje dhe rrezikojnë që ta mbyllin këtë me dështim këtë sezon.

Por për teknikun portugez, kjo nuk do të përbëjë problem për të transferuar Mateus Kunjan, i cili në bisedimet me klubin, ka treguar se nuk do ta refuzonte një transferim në “Old Traford” në verë. Kartoni i brazilianit që ka lënë shenjë te Uolvs këtë sezon, kushton 70 mln Euro.

Skuadra e 40-vjeçarit mund të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm, nëse e fiton Ligën e Evropës, ndërsa në gjysmëfinale do të ndeshet me Athletik Bilbaon.

Por sipas trajnerit portugez, edhe pa një pjesëmarrje në një kompeticion europian, lojtarët nuk do ta refuzonin fanellën e United

“Është Manchester United! Çfarë ndiej është se janë shumë lojtarë që duan të luajnë për klubin tonë dhe e di se nëse e shikon klubin momentalisht, me të gjihth problemet me stafin e njerëzit që ikin, ndryshimin e trajnerit dhe rezultatet, duket paksa si problem! Por e kemi idenë e qartë! Kjo është pjesa më e thjeshtë për t’ia shpjeguar një futbollisti. Pastaj është Manchester United! Çdokush do të donte të luante për Manchester United!”, shprehet Amorim.

Synimi i “Djajve të kuq” është që të firmosin me Mateus Kunjan në verë, ndërsa objektiva të tjerë për ekipin janë edhe sulmuesi i Ipsuiç Taun, Liam Dilep, si edhe ai i Napolit, Viktor Osimhen.

Gjithashtu tekniku portugez i ka të qartë futbollistët me të cilët do të vazhdojë projektin sezonin e ardhshëm dhe ata që do të shesë.

Klan News