16 efektivë të arrestuar apo pezulluar në 2023
Redion Bello 25 vjeç, një efektiv policie, u arrestuan nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, me dyshimet se shpërndante lëndë narkotike të llojit kanabis në një lokal plazhi në qytetin e Sarandës.
I ri në karrierë e tij si pjesë e policisë, ku ushtronte detyrën si trup shërbimi në Komisariatin e Policisë në Sarandë, ai kishte marrë një lokal me qira në Sarandë dhe në bashkëpunim me 23-vjeçarin Sejdi Vocka, shpërndanin kanabis.
Lokali “Beach Bar” përdorej prej të riut për të kamufluar aktivitetin e paligshëm të shpërndarjes së drogës.
Gjatë kontrolleve në ambientet e tij, policia gjeti edhe 100 doza kanabisi, vlera të ndryshme monetare, si dhe një pistoletë pa leje. Ai do të përgjigjet para drejtësisë për akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Ministria e Brendshme, nepërmjet zëvendës ministrit Besfort Lamallari, e konsideroi arrestimin e efektivit si një nga rastet e fundit të vetëpastrimit të policisë.
“Punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare apo dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm do të vijojnë të përballen, pa dallim dhe zero kompromis me ashpërsinë e ligjit dhe vendosmërinë e qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për ta rritur në një tjetër nivel sundimin e shtetit të së drejtës dhe besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit”, tha zv/ministri Lamallari.
“Përfshirja e efektivëve të policisë në çështje të drogës prej disa vitesh ka mbetur një fenomen shqetësues për autoritetet. Të dhënat tregojnë se gjatë 2023, 16 punonjës policie, u arrestua apo pezulluan, pasi u gjetën duke lehtësuar aktivitetin e shpërndarjes apo kultivimit të lëndëve narkotike”, raporton gazetarja e Tv Klan Bleona Metushi.
Tv Klan