Opinion– Zhvillimet intensive të korrikut të vitit 2002 ishin tema e një prej puntatave të emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Për herë të parë më 26 korrik të 2002 me një ceremoni zyrtare u bë rokada e presidentëve, Presidenti Rexhep Mejdani i lëshoi postin Afred Moisiut, ndërkohë që paraditen e 27 korrikut Pandeli Majko deklaroi dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Ndërkohë ende pa mbushur 11 orë në postin e Presidentit Alfred Moisiu dekretoi si kryeministër Fatos Nanon.

Për të diskutuar lidhur me aktualitetin, ishin të ftuar analistët Artur Zheji, Andi Bejtja dhe Andi Bushati.

“Politika shqiptare orët e fundit ka qenë tejet dinamike. Janë ndjekur procedurat në mënyrën me transparente, por nuk do të hyja në interpretimin e fakteve. Zoti Majko bëri dorëheqjen që duhej të bënte. I vetmi përjashtim nga rregulli në këto ngjarje  do thosha që janë deklaratat e fundit të zotit Mejdani, i cili tha: “Sa të jem unë President nuk dekretoj qeveri tjetër”, tha Zheji.

“Unë mendoj se thelbin e dorëheqjes Majko e shprehu më mirë vetë kur tha: “Erdha si kryeministër për shkak të ndarjes së mandateve dhe po iki për shkak të bashkimit të mandateve”. Po të shikojmë gjithë këtë trajektore të kryeministrit Majko, duket qartë që ai ka qenë një eksponent i Partisë Socialiste, i cili vazhdimisht është përdorur si filtër për të shkarkuar të gjitha krizat e PS dhe pasi kanë mbaruar krizat ai është larguar nga skena politike. Duke gjykuar nga ky aspekt mendoj se nuk është shumë normale. Gjithë lëvizjet e qeverive nuk i quaj dot normalitet pasi krizat që ka kaluar PS i bie të kishte lënë dhe pushtetin. Kjo mund të quhet edhe aftësi e PS, por nuk është normalitet për mendimin tim. Ishte kohë e shkurtër për të thënë nëse qeveria ishte e suksesshme apo jo. Megjithatë PS brenda saj gjen figura që kalon nga njëra krizë në tjetrën dhe askush nuk flet për moral”, tha Bejtja.

“Në qëndrimet e tij të para Majko la shijen që mund të merrte përsipër në PS pjesën e kontestatorit të një paqje dhe pakti të rremë me idenë që tani u bashkuan të gjithë duke lënë gjithçka pas. Por mendoj se i është lënë një kohë tepër e shkurtër për ta gjykuar në vendimet që ka marrë politikisht. Ka pasur disa anë të dobëta në qeverisjen e tij të cilat e kanë dënuar gjatë qeverisjes”, tha Bushati.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së televizionit Klan për vitet 1998-2012