Krasniqi: SHBA kërkon që të njihet dialogu 10-vjeçar

Deklaratën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë dhënë mediave serbe se duhet të formohet Asociacionit i Komunave me shumicë serbe, si dhe të respektohen marrëveshjet e mëparshme Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës po e sheh si një mesazh të qartë të tij për qeverinë Kurti.

Sipas saj nëse Asociacioni nuk bëhet sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosova rrezikon të ketë një entitet me kompetenca ekzekutive dhe që prish rendin kushtetues.

“Me deklaratën e tij ambasadori amerikan Kosnett e tha që në fakt procesi 10-vjeçar i dialogut që ka filluar që nga 2011-ta nuk mund të zhbëhet totalisht, kjo si një përgjigje ndaj qeverisë Kurti e cila thotë se ne do të fillojmë një dialog të ri, do ta nisim nga fillimi. Kjo edhe për të thënë se Kosova tashmë ka marrëveshje të cilat i ka marrë përsipër t’i përmbush dhe një ndër to është edhe asociacioni”.

Ndërkohë për takimin Kurti-Vuçiç që u zhvillua para dy ditësh në Bruksel shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar që kryeministri, Albin Kurti t’i raportojë Kuvendit sa më shpejtë.

“Kërkesa e AAK-së është që Kryeministri Kurti të raportojë sa më shpejt para Kuvendit të Kosovës”.

Kurti ka takuar Vuçiçin për herë të parë në Bruksel para dy ditësh ndërsa është paralajmëruar edhe një takim i radhës para pushimeve verore.

Tv Klan