Ndërsa Joe Biden u bë presidenti i pestë amerikan që takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, analistët po masin tani suksesin e takimit. Sipas Jon Sopel të BBC-së, presidenti Biden mund të konsiderojë sukses përfshirjen në bisedime të hollësishme në lidhje me çështjet më të nxehta.

Sopel mendon se Biden, sidomos për audiencën e brendshme, donte të jepte shembullin se ‘Amerika është kthyer’ dhe se ai nuk është “Donald Trump”. Një gjë e tillë u përpoq të nënvizohet edhe gjatë konferencës së shtypit pas takimit.

Mbetet e paqartë për gazetarët dhe analistët se si do ta zbatojë Biden zotimin që bëri ndërsa kthehej për në avionin presidencial Air Force One: “Ne do t’i kundërpërgjigjemi Rusisë nëse ajo nuk bën atë që duam në lidhje me sigurinë kibernetike, të drejtat e njeriut dhe çështjet e tjera.”

Analistët mendojnë gjithashtu se presidenti Putin do të vazhdojë të testojë vijat e kuqe të treguara nga presidenti Biden dhe i mbetet kreut amerikan të vendosë se si do të përgjigjet.

Sipas analistit Peter Baker të New York Times, vendimi i Biden për të takuar presidentin Putin shënon një shkëputje nga qasja e presidentëve të mëparshëm. Në vitin 2014 pasi Rusia pushtoi Ukrainën, presidenti Obama me ndihmën e Biden si zv/president, u përpoq ta izolonte Putinin, duke e përjashtua nga G8. Qëllimi sipas Peter Baker nuk është përmirësimi i lidhjeve dypalëshe, por ndalimi i përkeqësimit të tyre.

Disa ekspertë e shohin takimin e Gjenevës si përpjekje të amerikanëve për të ndaluar presidentin Putin nga veprimet e tij agresive, qoftë ndaj Ukrainës apo ndaj aktivistit opozitar, Aleksei Navalny.

Klan News