Kryeministri Edi Rama ishte në Porto Romano këtë të shtunë. Ai vizitoi punën që po bëhet për ndërtimin e parkut urban, ndërkohë që aty po shkarkohen edhe mbetjet e shkaktuara nga dëmtimet e ndërtesave prej tërmeteve.

Kryeministri Rama theksoi se duhet shfrytëzuar maksimalisht ky rast, pasi çdo katastrofë me gjithë të këqijat, sjell edhe shanset për t’u ringritur. Me inertet që do të përdoren në Porto Romano, sipas kreut të qeverisë, mbyllen para kohe disa punë që mendoheshin se do të zgjasnin dhe kjo zonë do të transformohet.

“Kemi bërë gati prej disa kohësh. Me këtë rast ta transformojmë të gjithën dhe ta kthejmë këtë zonë në park. Inertet t’i përdorim për të transformuar bazamentin apo çfarë janë ato pjesët e infrastrukturës së re dhe nga një zonë kanceroze që prej 50 vitesh prodhonte helm të kthehet në një park urban”, tha Rama.

Por kreu i qeverisë teksa vizitonte punimet nuk kurseu as ngacmimet ndaj analistëve mediatikë. Teksa po ecnin dhe anës rrugës po lehnin disa qen, Rama tha: “Ja dhe analistët, shih. Analistët tek laguna mediatike. O Zot”.

Kryeministri shoqërohej nga ministrja Belinda Balluku, deputetja Klodiana Spahiu dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Zhyljen Varfaj, i emëruar pas dorëheqjes së Valbona Sakos. /tvklan.al