Për analistin Lorenc Vangjeli shfaqjet në ekran të Kryeministrit Edi Rama pranë banorëve të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit i kanë dhënë atij epërsi politike. I ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në emisionin “Opinion”, Vangjeli tha se në tërësi, këto dalje publike japin një mozaik të madh që është propozimi i Ramës për një mandat të tretë.

“Sot e gjithë Shqipëria është laborator i tij, skena e tij luan politikisht, njerëzisht, me pragmatizëm, me emocion. Doli nga parlamenti, salla që mbizotëronte me batutë në të gjithë rrethanat dhe ai sot është në terren ku ka të drejtë të fjalës së parë dhe të fundit, në kamerën e tij përballë njerëzve që janë fatkeq. Se çfarë u thotë, kjo është tjetër gjë. Po ta gjykosh ditë pas dite, takim pas takimi, në këtë kult të individit që po e rindërton nga e para edhe njëherë, mund të gjesh shumë gjëra që nuk shkojnë. Por këto janë copëza të mozaikut, këto gurë të vegjël. Këto detaje të vogla që gënjejnë vetëm një sy naivi ose të pa stërvitur, japin një mozaik të madh dhe ky mozaik i madh është propozimi i Edi Ramës për mandatin e tretë”.

“Në mandatin e tretë ai do të risjellë triumfin ose dështimin e tij në këtë histori, të tërmetit. Është shumë cinike të flasësh për epërsi politike në këtë moment, por është e vërtetë që ai e ka fituar këtë epërsi. Sot ai është në sytë e të gjithë shqiptarëve, shihet si shpresë”.

Vangjeli thotë gjithashtu se tërmeti ishte momenti që na tregoi se ne jemi lakuriq.

“Ne jemi duke u marrë me pasojën dhe jo me shkakun dhe ky është gabimi i madh. Shkaku është shumë më lart, shkaku nuk është as tërmeti, as Edi Rama, por janë të gjithë bashkë. Tërmeti ishte momenti që na tregoi që ne jemi lakuriq, që ne jemi të bërë bashkë në një shoqëri, por jo komunitet”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse ka konflikt mes Kryeministrit dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Vangjeli tha:

“Nuk ka konflikt të Ramës me askënd. As më Zv/kryeministrin, as me kryetarin e Bashkisë, me askënd. Të gjithë ata janë si rrathë bashkëqendror të cilët shikojnë një kulm të vetëm që është Edi Rama. Nuk ka konflikt, ata të gjithë ata janë për shkak të Edi Ramës”./tvklan.al