Opinion- Situata e krijuar pas mbledhjes së Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste më 5 Dhjetor 2001 la mjaft paqartësi tek pjesa më e madhe e qytetarëve. Mbledhja ishte thirrur për të analizuar krizën e thellë të shkaktuar nga përplasja mes kryetarit të partisë, Fatos Nano dhe kryeministrit të asaj kohe, Ilir Meta.

Ndaj edhe emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më datë 6 Dhjetor 2001, kishte temë pikërisht mbledhjen e Komitetit Drejtues të PS dhe zhvillimet politike në vend. Për të diskutuar lidhur me to Fevziu kishte ftuar në studio analistët Ylli Rakipi, Andi Bushati dhe Andi Bejtja.

“Është e vështirë të kuptohet se kush ishte realisht qëllimi i kësaj mbledhje të PS. Mbledhja u iniciua nga mbështetës të kryeministrit Meta. Ajo që ishte shkruar ishte për të sqaruar problemet e qeverisë dhe të funksionimit të partisë, por ajo që ishte pashkruar nga këta 72 firmëtarë ishte tendenca për t’i dhënë një goditje kryqëzatës që Nano kishte nisur në bazë. Mbetet ende e paqartë mënyra se si do të realizohej kjo goditje. Ata donin ta vinin përballë një forumi të kontrolluar gjerësisht prej tyre”,tha Bushati.

“Kjo ishte e vetmja mundësi që i mbeti institucioneve të Partisë Socialiste për të rikthyer me forcë kryetarin e PS nga vendi ku kishte dalë. Është një rast i rrallë ku kryetari del jashtë të gjitha institucioneve. Të vajturit e Nanos në bazë është tërësisht demagogjike”,tha Rakipi.

“Nano e ftoi bazën duke marrë flamurin e antikorrupsionit dhe të jetës së përditshme. Nano nuk tha ndonjë gjë të re, vetëm qe i pari brenda kësaj partie që hapi këtë temë. Po të kishte qenë një fytyrë e re, pa atë të kaluar të Nanos do të kishte pasur revolucion në Shqipëri. Por nuk kemi revolucion, sepse Nano është vetë një figurë e përfolur, por hero në këto momente. Mendoj se kjo që ndodhi është shumë komplekse dhe jo bardhë e zi. Pas kësaj që ndodhi mund të themi që Nano nuk bëhet dot president i Shqipërisë dhe mendoj se kjo është pozitive. Tashmë çdo ministër që vjen në pushtet do ta ketë më të vështirë të vjedhë. Kjo krizë tashmë nuk i përket më Partisë Socialiste, mendoj se kjo krizë duhet të zgjidhet nga drejtësia”,tha Bejtja.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012