Në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve numër 2 në kryeqytet nuk bëhen analizat e tiroides, edhe pse kanë qenë të planifikuara në muajt Janar dhe Shkurt.

Kjo pasi mungojnë reagentët. Nga ana tjetër në disa klinika private këto analiza kryhen kundrejt pagesës jo të vogël.

Emisioni “Stop” ka bërë një investigim, duke dëshmuar sesi në klinikat private kanë reagentë e ndërsa në shtet nuk gjenden.

Juristja e Qendrës shëndetësore numër 2 thotë se mungesa e reagentëve është problem i buxhetit, që çelet me vonesë dhe kjo përsëritet gjithmnonë.

Por në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore thonë se faji është i Qendrës Shëndetësore, pasi buxheti është çelur që në Shkurt dhe fonde ka, por qendra nuk i ka bërë llogaritë siç duhet.

Qytetari në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve numër 2

Qytetari: Më falni, t’ju bëj një pyetje? Analizat e tiroideve, ku bëhen?

Recepsionistja: S’bëhen, s’kemi reagent akoma. Mami jot të marri rekomandimin për endokrinologun, se ka mundësi, që tani në Mars vjen TSH-ja.

Qytetari: Po sa Mars?

Recepsionistja: Epo nuk ta them dot saktë, kur të vijë… Në qoftë se je i interesuar për mamin o bir, bën një… përbën një përçapje edhe më tej.

Qytetari  në klinikën e parë private

Qytetari: Më falni! Këto analizat e tiroideve, ku bëhen?

Recepsioni: Po mund t’i bëjmë! Keni recetë, apo…?

Qytetari: Jo, thjesht dua të pyes sa kushtojnë?

Recepsioni: Atëherë, për tiroiden, ka disa lloje. Ne kemi disa paketa, që mund t’i shikoni, janë këto të dyja. Kontrolli me 3 hormone, është 32, kontrolli me 6 hormone, është 59 mijë lekë të vjetra.

Qytetari  në klinikën e dytë private

Qytetari: Sa kushton analiza e tiroides?

Recepsioni 2: Vetëm njëra është 13, secila nga ato është nga 13(mijë lekë të vjetra), për kë të ka thënë mjeku, do flasësh me informacionin.

Juristja: Funksionon, që blerjet, që blerje,t që ne bëjmë, i bëjmë gjithmonë në fillim të vitit. Tani për sa kohë nuk ka ardhur akoma buxheti, nuk është çelur akoma buxheti, nuk janë blerë ende markuset, se janë të caktuara me markuse, kiter dhe reagent. Ne jemi në pritje të çeljes së buxhetit, për t’i blerë këto markuse, siç ndodh rëndom çdo vit. Në momentin që bëhet ndarja, fillon procedura, kërkojmë leje, miratime. Janë një sërë procedurash, të cilat vonojnë shumë, që s’është në dorën tonë. E dyta, mjekët specialistë endokrinologë dhe pacientët, që janë kronikë, tashmë janë mësuar me këtë lloj rutine, tashmë janë mësuar dhe e dinë dhe mjekët ia sqarojnë dhe ia shpjegojnë, që të paktën nga fundi i Marsit, fillimi i Prillit, ata fillojnë dhe i rezervojnë. Është një histori, në thonjëza, që përsëritet dhe dihet, që në Janar, Shkurt, asnjëherë nuk ka, sepse në Mars çelet buxheti.

“Stop” në lidhje me këtë problematikë  iu drejtua Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku si përgjigje iu tha se Fondi për vitin 2020 e ka bërë çeljen e buxhetit që në datën 20 Shkurt 2020. Përpara kësaj kohë i është vënë në dispozicion gjysma e buxhetit të vitit të kaluar.

Por nga ana tjetër, për sa i përket nevojave që ka Qendra Shëndetësore, shpërndarjen në zëra e bën vetë kjo e fundit dhe jo Fondi.

Duket se Qendra Shëndetësore në fjalë nuk i ka bërë llogaritë mirë, për sa kohë nuk ka reagentë në këtë periudhë dhe nuk mund të bëhet analiza e TSH  pasi për FSDKSH, kjo nuk është normale, pasi fonde ka. /tvklan.al