Plani i shkëmbimit të territorit që mbështet SHBA-ja për të rimarrë kufijtë e Kosovës është duke u përballur me një tufë kritikash brenda republikës, në rajon dhe ndërkombëtarisht.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç kanë sugjeruar se një shkëmbim territori mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje që do të hapë rrugën për një zgjidhje përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës.

Kosova u nda nga Serbia më 1999 dhe shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, pavarësi e cila nuk është njohur kurrë nga Beogradi. Vuçiç dhe Thaçi janë takuar rregullisht nën patronazhin e shefes së politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, për të arritur në një marrëveshje që mund të dërgojë Kosovën drejt OKB-së dhe të përmirësojë perspektivat e pranimit në BE për të dy vendet.

Ndërsa as Vuçiç dhe as Thaçi nuk i kanë bërë ende të ditur detajet e planeve të tyre, të dy palët pranuan në një forum diskutimi në Austri, gjatë fundjavës së kaluar se ndryshimet kufitare po shqyrtoheshin. Një shkëmbim ndoshta do të përfshinte shkëmbimin e territorit të pjesës jugore të Serbisë, të populluar kryesisht nga shqiptarët, për pjesën veriore të Kosovës të populluar kryesisht nga serbët.

Administrata amerikane kohët e fundit iu dha një nxitje planeve kur këshilltari i sigurimit kombëtar, John Bolton, tha se Uashingtoni nuk do të bëhej pengesë nëse Beogradi dhe Prishtina arrinin një marrëveshje, duke përmbysur një politikë të gjatë të SHBA që thoshte se ndryshimet e mëtejshme në Ballkan janë të padëshirueshme.

Sipas dy burimeve që njohin të menduarit e administratës së Trump, politika e re nuk është “as vijë e kuqe as pullë e bardhë”, që do të thotë se SHBA është e gatshme të shqyrtojë çdo zgjidhje, duke përfshirë ndryshimet kufitare, por nuk do ta mbështesë domosdoshmërisht në fund. Disa zyrtarë të BE-së kanë lënë të kuptohet se ata gjithashtu mund të jenë të gatshëm të mbështesin një marrëveshje që përfshin ndryshimet kufitare.

Vuçiç do të përballet me kundërshtimin e shumë serbëve që do ta shohin marrëveshjen si një pranim të faktit që Kosova është e humbur përgjithmonë. Ka gjithashtu kritika të forta në Kosovë, veçanërisht nga Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili të premten iu referohej diskutimeve si “ide katastrofike”.

Ai tha:

“Diskutimi publik mbi ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territorit është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan”.

Shumë vëzhgues rajonalë dhe ndërkombëtarë kanë vënë në dukje efektet e goditjes në rajon, ku disa kufij janë të brishtë dhe të hapur ndaj sfidave nacionaliste.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka kundërshtuar fort këtë ide dhe tre ish-përfaqësues të rëndësishëm në Bosnje i kanë shkruar një letër të hapur Mogherinit, duke i kërkuar asaj të mos mbështesë planet që përfshijnë shkëmbimin e territorit.

“Ne mund të themi shkurt, mos mendoni për politika që mund të na çojnë në ndarje dhe konflikte në Ballkan”,

shkruanin në letër Carl Bildt, Paddy Ashdown dhe Christian Schwarz-Schilling.

Milorad Dodik, President i Serbëve në Bosnje dhe kandidat për presidencën kombëtare në zgjedhjet e Tetorit, ka bërë thirrje të njëpasnjëshme për pavarësinë e RS.

“Unë mendoj se BE e pëlqen këtë plan sepse është i thjeshtë”, tha Lejla Ramić-Mesihoviç, drejtoresha ekzekutive e Iniciativës së Politikave të Jashtme BH, një bankë e vogël me bazë në Sarajevë që ka punuar në këtë çështje. “Por cila do të jetë logjika e bashkësisë ndërkombëtare kundër një referendumi të RS? A është me të vërtetë koha të heqësh dorë nga shtetet multietnike në Evropë?”

Një këshilltar i Dodik tha se shqetësimet ishin të ekzagjeruara.

“Presidenti Dodik është një nga politikanët më me përvojë në rajon dhe ai nuk do të bëjë asgjë, duke e ditur se sa e rëndësishme është që Serbia të mbyllë historinë me Prishtinën”

, tha Ana Trišić-Babić, një ish-zëvendësministër i Jashtëm i Bosnjes.

Megjithatë, ekziston frika se thjesht duke e vendosur çështjen përsëri në tavolinë, do t’u japë shansin atyre të cilët urojnë që disa çështje të zgjidhura në të kaluarën të rihapen.

Në Maqedoni, e cila ka një pakicë të madhe etnike shqiptare dhe ishte skenë e përplasjeve ndëretnike në vitin 2001, politikanët janë të kujdesshëm për çdo marrëveshje që përfshin shkëmbimet e territorit.

“Këto ide kanë lundruar nëpër të gjithë luftërat e Ballkanit dhe ky vend ka qenë gjithmonë shumë i vendosur në mbështetjen e zgjidhjeve politike ndaj problemeve politike që nuk kërkojnë kufij etnik”,

tha Radmila Šekerinska, ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë.

“Ne duhet t’i kujtojmë vetes se mizoritë më të mëdha janë kryer me këtë qëllim, ose me atë justifikim në mendje”.

Një tjetër çështje kyçe është nëse Rusia mund të mbështesë ndonjë marrëveshje. Vuçiç pritet të takojë dy herë Presidentin rus Vladimir Putin në muajt e ardhshëm dhe deri më tani Moska ka dhënë pak shenja se është gati të heqë dorë nga kundërshtimi i saj i gjatë për pavarësinë e Kosovës.

Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, tha se mbështeste Beogradin dhe Prishtinën për arritjen e një marrëveshjeje por theksoi me forcë se “marrëveshja duhet të pasqyrojë interesat e popullit serb”, nëse Rusia do ta mbështesë atë. Ajo nuk pranoi të sqaronte se si Rusia do t’i vlerësonte këto interesa.

Burimi: The Guardian 

Përshtati: tvklan.al