Analiza vjetore e punës së Ministrisë së Integrimit Evropian ka rezultuar pozitive për shefen e digasterit Ermelinda Meksi. Sipas saj janë hedhur hapa të sigurt për procesine përafrimit me vendet e Bashkimit Evropian brenda vitit 2005 ku presidencën e radhës e merr Luksemburgu. Megjithatë sipas Meksit atmosfera politike nuk ka ndikuar pozitivisht.

Ermelinda Meksi: “Ky progres do të ishte më i plotë nëse Kuvendi i Shqipërisë do të kishte miratuar ndryshimin e kodit elektoral duke i lënë kështu kohën e parashikuar hapave të tjerë të reformës në procesin zgjedhor. Gjatë vitit 2004 atmosfera politike jo gjithmonë ka prodhuar një klimë të përshtatshme për avancimin e një procesi që siç dihet është mjaft i ndjeshëm ndaj çdo turbulence që prek institucionet e shtetit dhe lojën politike.”

Ministrja e Integrimit Evropian kërkoi që përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare të jenë më aktivë në procesin e integrimit. Ndërsa ministri i Shtetit për koordinim Marko Bello deklaroi se kjo ministri nuk bën punën e duhur për të nxitur pjesën tjetër të kabinetit.

Marko Bello: “Pra reforma realizohet në ministritë e linjës dhe është detyra edhe e juaja që të mos i lini asnjëherë këto struktura të përgjumen dhe të mbingarkohen nga rutina e ditës duke nënvlerësuar detyrën prioritare që është integrimi.” /tvklan.al