Në analizën vjetore të Policisë së Tiranës, Drejtori i saj Ervin Hodaj bëri një pasqyrim të rezultateve të një viti pune, problematikave dhe arritjeve, shifrave dhe analizave.

Duke u ndalur tek vrasjet, Hodaj tha se në krahasim me një vit më parë, në 2016 – ën kanë ndodhur 6 vrasje më shumë. Ai deklaroi se përgjatë vitit që sapo lamë pas kanë ndodhur 18 vrasje, nga të cilat 17 janë të zbuluara dhe të dokumentuara. Pjesa dërrmuese e tyre janë për motive xhelozie, familjare, apo motive banale të çastit.

Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, ka një peshë specifike në gjithë veprimtarinë e Policisë së Tiranës, pasi ndjekin ngjarje me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me impakt të fort në publik.

Lidhur me këtë sektor dua t’ju bëj me dije se për vitin 2016 objektivi në total është realizuar përsa i përket uljes së kriminalitetit duke evidentuar 86 vepra penale, zbuluar 61, ku janë proceduar 98 autorë, 80 të arrestuar, 3 në gjëndje të lirë dhe 15 në kërkim.  Krahasuar me 2015 kemi në total 16 vepra penale me pak dhe fuqi zbuluese të njëjtë.

Konstatohet se këtë vit kanë ndodhur 18 vrasje nga të cilat 17 janë të zbuluara dhe të dokumentuara. Harta e ndodhjes së tyre është  14 në Tiranë dhe 4 vrasje në Kavajë. Në krahasim me vitin 2015 kemi 6 vrasje më shumë, por ajo që vlen për tu theksuar është, se pjesa dërrmuese e tyre janë për motive xhelozie, familjare, apo motive banale të çastit. Le ti hedhim një vështrim. Nga 18 vrasjet , 4 vrasje ajo e Elton Cicos , Skënder Alukut, Vasil Biba dhe Ajet Zeqaj , tre të parat të zbuluara, janë me motive hakmarrje. 5 vrasje janë për motive banale të çastit, 2 për motive pronësie dhe 7 vrasje në marrëdhënie familjare, për shak të xhelozisë ose konfikteve familjare. Nga kjo statistikë rezulton se fokusimi i shërbimeve policore në konfliktet dhe dhunën në familje duhet të jetë në qendër të vëmendjes.

Ndërkohë ka patur një ulje të veprës penale të vrasjes së mbetur në tentativë me një vepër penale, gjatë këtij viti janë evidentuar 26 të tilla si dhe një ulje të veprës penale të plagosjes së rëndë, me vetëm 9 të tilla, ndërkohë në 2015 kanë ndodhur 14.

Vlen për tu përmendur për një punë profesionale në zbulimin e disa ngjarjeve të rënda si vrasja e Elton Çiços apo Vasil Bibës. Kapja e një serë autorësh menjëherë pas kryerjes së ngjarjeve të rënda ka qënë domethënse për efikasitetin e shërbimeve policore. Goditja e një grupi të strukturuar kriminal në rrugën e Kavajës është një nga punët e mira  për tu vlersuar për këtë sektor, goditje e cila ka ndikuar dhe në uljen e veprave të tjera penale.

Edhe pse ka patur një angazhim maksimal të strukturave , duhet më shumë në ngjarjet e pazbardhura akoma, ku disa prej tyre janë në hapat e fundit të dokumentimit ligjor.

Armëmbajtja pa leje

Armëmbajtja pa leje ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i strukturave tona, duke e parë si pikënisje të një krimi më të rëndë. Pas lehtësimit të masës së dënimit për këtë vepër penale janë shtuar rastet, për këtë arsye gjatë pothuajse cdo instruktazhi është theksuar kontrolli i personave me tendencë të tillë. Në total janë 233 raste me 251 persona të proceduar. Gjatë këtij vitit kemi sekuestruar lloje të ndryshme armësh mund të përmendim 41 pistoleta, 26 automatik, 17 pushkë, 5 kg lëndë plasëse C4, 100 gram tritol, 82 thika, 21 doreza metalike, municion 4513 fishekë, 9 armë sportive, 1 pistoletë zhurmuese, 1 granatë, 7 armë gjahu,8 shkopinj metalik, 4 shkopa bejsbolli/druri, 1 shkop gome, 8 copë kapsolla, etj.

Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike:

Një nga prioritetet tona ka qenë edhe lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike, duke e parë si një fenomen me rrezikshmëri të lartë dhe  me një impakt negativ për shoqerinë tone. Edhe pse qarku i Tiranës nuk ka qënë në hartën me rrisk të lartë, prej komisariateve të policisë është vleresuar maksimalisht, më konkretisht :

Janë asgjësuar 171 parcela dhe 66929 bimë narkotike ose 42949 bime me shume se viti 2015, evidentuar 85 raste të kultivimit të bimëve narkotike të referuara në Prokurori, zbuluar 29, në masën 34.1%,  ku janë implikuar 52 autor, arrestuar 32 , në kërkim 17, në gjendje të lirë 3. Një pjesë e këtyre rasteve kanë qenë hetime proaktive.

Janë zhvilluar 116 takime  sensibilizuese, me numër të pjesmarrësve në takime 7518.

Janë kryer 3117 (907 sera) kontrolle të territorit në zona me risk të lartë/mesëm me angazhimin e 3987 forcave policore dhe 231 mjeteve. Në total janë zhvilluar 39 operacione policore.

Hetimin e Trafiqeve e Narkotikëve:

Përsa i përket Sektorit për Hetimin e Trafiqeve e Narkotikëve, janë evidentuar  888 vepra penale ku janë implikuar  1146 autorë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi një rritje  me  200 vepra penale.

Nga të dhënat statistikore, konstatohet se krahasuar me vitin 2015 kemi një rritje të konsiderueshme të sasisë së kapur të heroinës e Cannabis Sattiva dhe më pak të kokainës.

Një ndër objektivat e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve për këtë vit ka qenë rritja e veprave penale ndaj narkotikëve, drogave të forta (heroinë, kokainë etj) në masën 4 %, objektiv i cili  është realizuar, nga ku janë evidentuar dhe ndjekur  706 vepra penale dhe proceduar penalisht  918 autorë.

Ndërsa sasia e lëndës narkotike së sekuestruar është:

  • Heroinë- 6 kg 258.97 gr ose 3 kg 059.37 gr më shumë
  • Kokainë – 3 kg 262.76 gr ose 20 kg 025.43 gr më pak
  • Canabis Sativa – 558 kg 007.88 gr ose 379 kg 375.69 gr më shumë

Gjatë vitit që lamë pas, u fokusuam në reduktimin e përdorimit të drogës sidomos në ambjente publike, lokale dhe shkolla.

Hetimet dhe operacionet u përqendruan në rrjetet e shpërndarësve të drogës në disa zona të qytetit, si dhe kontrollet e lokaleve problematike. Në total janë realizuar 19 operacione antidrogë kryesisht me hetime proaktive që kanë zgjatur në kohë, por më të spikaturat që kanë patur dhe impakt pozitiv në komunitet  mund të përmendim operacioni “TANGENT” me 16 autorë të arrestuar, operacioni “LAPIDAR” me 4 autorë, “AGIMI” me 6 autorë, “START  2” me 4 autorë   apo operacioni “CAOS PARTY”.

Kërkohet vazhdimësi në mbajtjen nën kontroll, dhe minimizimin e fenomenit të shpërndarjes së narkotikëve, duke zgjeruar informacionet dhe duke e ndjekur problematikën me hetime proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit.  Sigurisht edhe trafikimi i drogave sidomos ato të forta do të mbetet prioritet.

Lufta ndaj krimit të organizuar:

Lufta ndaj krimit të organizuar në fushën e trafiqeve e narkotikëve, krimeve të rënda ndaj  jetës e pronës, zbulimit dhe goditjës së veprimtarisë kriminale në fushën e krimit ekonomiko financiar dhe korrupsionit dhe paralelisht  parandalimi, identifikimi, goditja dhe dokumentimi i veprave penale që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e të miturve, dhunën në marrëdhëniet familjare reduktimin dhe zgjidhjen ligjore të konflikteve kanë qënë prioritetet tona kryesore për vitin 2016.

Bazuar në këto prioritete  në  territorin e Tiranës janë evidentuar dhe referuar 12061 ngjarje, nga të cilat janë zbuluar dhe dokumentuar 11086 me fuqi zbuluese  92 %. Janë proceduar penalisht 11469 shtetas, arrestuar dhe ndaluar  3608  shtetas, proceduar në gjëndje të lirë 6663 autorë dhe 1198 persona të larguar nga vend ngjarja ose i janë shmangur hetimit. (shpallur në kërkim)

Në raport me vitin 2015 evidentohen 907 ngjarje më pak, gjithashtu evidentohet  rritje e fuqisë zbuluese  me  3 %, kjo falë angazhimit dhe vendoshmërisë sonë të përbashkët ndaj luftës kundër krimit apo çdo lloj vepre penale.

Mesatarisht janë evidentuar 33 vepra penale në një ditë, në raport me  35 vepra penale të evidentuatara në vitin 2015.

Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme:

Përsa i përket Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, janë evidentuar 122 vepra penale  dhe janë proceduar 197  autorë, ndaj dua të them se ky seksion i ka arritur objektivat që kishim parashikuar për vitin 2016.

Nga këto të dhëna statistikore konstatohet se kemi një  rritje të evidentimit të veprave penale ndaj trafiqeve të paligjshme, në mënyrë të veçantë “Trafiku i njerzve” ku  synohej në shtimin e rasteve me  10 %, “Trafikimi i armëve”në masën 10%, “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”ku u synua në shtimin e rasteve me 10 %. Këto objektiva u realizuan.

Fenomeni  i shfrytëzimit të femrave për prostitucion ka qënë objekt i hetimeve dhe i operacioneve të këtij seksioni , duke realizuar gjatë këtij viti disa operacione domethënse në reduktimin e kësaj vepre penale , dhe nxjerrjen nga rruga të femrave të shfrytëzuara. Janë realizuar në total 11 operacione policore, ku mund të veçojmë operacionin“MUSTANG”“REKRUTIMI” “BOLERO” “MOGLICA”, “REVENGE” “RESERVIMI”,.

Krimet e Rënda Kundër Pronës:

Edhe te Krimet e Rënda Kundër Pronës është vrejtur një trend në ulje të veprave penale. Kështu kanë ndodhur vetëm  3 vjedhje me armë nga 7 të ndodhura në vitin 2015. Janë evidentuar 2 vjedhje banke nga të cilat një është zbuluar dhe dokumentuar, dhe është drejt zbardhjes dhe vjedhja e dytë e cila ka ndodhur vetëm disa ditë më parë. Ka pothuajse një përgjysmim të veprës penale të shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, dhe zbulueshmëri të lartë. Nga 22 që kanë ndodhur në 2015 këtë vit janë vetëm 13 raste dhe nga këto të zbuluar 11 , me 24 autorë. Vlen për të përmendur disa operacione policore  në funksion të këtyre veprave penale si “EKLIPS“ ‚ HACKER“,  apo „BISS“ për gjobvënie, dhe operacioni  „DEPERTIMI“ vjedhja e një banke të nivelit të dytë.

Nuk mund të lë pa përmendur angazhimin maksimal të këtij seksioni në ngjarjen e vjedhjes me armë në aeroportin e Rinasit dhe atë të Kasharit. Me një mbështetje totale nga Drejtoria e Përgjithshme e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Renda , ku gjej rastin për ti falenderuar, mendoj se janë bërë hapa domethënse në dokumentimin e këtyre ngjarjeve.

Shkatërrimi i pronës me eksploziv:

Shkatërrimi i pronës me eksploziv, është një vepër penale që krijon sensibilitet në komunitet dhe opinion, prandaj dhe fokusimi jonë ka qënë maksimal, si në veprimet e para hetimore ashtu dhe gjatë hetimit, edhe pse është një nga veprat penale më të vështira për tu dokumentuar. Vazhdon trendi i uljes së kësaj vepre penale në krahasim me vitet e fundit, ku u bë një fenomen shqetësues, por gjithashtu në rastet më të shumta nuk kemi të bëjmë me shkatërrim me eksploziv klasik me objekt personin apo pronën, por paralajmërimin apo kanosje.

Gjatë vitit analizues kanë ndodhur 15 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv nga të cilat janë zbuluar 3 raste. Nga një analizë e këtyre ngjarjeve rezulton se në të gjitha rastet kanë patur ndezje mekanike nëpërmjet fitilit, dhe asnjë nuk ka qene e sofistikuar. Në vetëm një rast shpërthimi ka vëne në rrezik jetën e personave, ndërsa rastet e tjera kanë qënë me sasi të papërfillshme, dhe ka patur vetëm dëme të lehta matariale.

Gjithesesi kjo analizë nuk e justifikon punën e pamjaftueshme dhe intesitetin e energjive për të parandaluar dhe zbuluar  këto vepra penale.

Siguria Rrugore

Këtë vit bashkë me drejtuesit e Komisariatit Rrugor dhe strukturat përkatëse ne Drejtorinë e Policisë së Shtetit jemi munduar të rrisim parametrat e sigurisë rrugore, të ndërgjegjësojmë qytetarët për rëndësinë e vendosjes së rripit të sigurimit, mosdrejtimit nën efektin e alkolit, mospërdorimit të celularit, dhe në tëresi të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Qarkullimi rrugor ka pasur për vitin 2016 si objektiv reduktimin e numrit të aksidenteve rrugore në masën 15 % dhe reduktim të aksidenteve me pasojë vdekjen në masën 3 %. Ky objektiv nuk është realizuar.

E them dhe e rithem se siguria rrugore nuk është vetëm përgjegjësi policore, por mbi të gjitha është përgjegjësi qytetare. Ata duhet të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se shkelja e rregullave të qarkullimit ka pasoja negative deri në humbje jete.

Nga shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur 135 866  masa, me vlerë 130 505 376 lekë dhe janë arkëtuar 108 165 masa, me vlerë  141 536 850 lekë. Gjithashtu janë vendosur 10 134 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit.

Për vitin 2016, kanë ndodhur 698 aksidente me pasojë 58 persona të cilët kanë humbur jetën, 128 persona të plagosur rëndë dhe 657 persona të plagosur lehtë, krahasuar me vitin 2015 ku kanë ndodhur 557 aksidente me pasojë 42 persona që kanë humur jetën.

Përsa më sipër kërkoj angazhimin maksimal të strukturave përgjegjëse më shumë punë për uljen e numrin të aksidenteve si për ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Sigurisht prioritare do të ngelet eleminimi i çdo shfaqje korruptive nga punonjësit e policisë rrugore dhe ndëshkimi i çdo drejtuesi mjeti që i ofron para policit. Për vitin 2016 ka patur disa raste të korrupsionit aktiv nga drejtuesit e mjeteve, por e pamjaftueshme, prandaj duhet të fokusohemi më shumë.

Shërbimi i rendit dhe sigurisë  ka patur për synim garantimin e rendit publik, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për ti ofruar komunitetit më shumë siguri, nëpërmjet kontrollit të territorit. Patrullat e përgjithshme në këtë periudhë kanë njohur rezultate në ngritje, kjo e evidentuar jo vetëm nga rezultatet por dhe nga performanca e saj në komunitet, gjë e cila ka ndikuar në rritjen e sigurisë publike, parandalimin dhe  reduktimin e ngjarjeve.

Kjo strukturë, gjatë vitit që raportojmë ka pasur ngushtësisht bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme me të zgjedhurit e pushtetit Vendor, me OJF –të e ndryshme të cilat ushtrojnë aktivitetin në Tiranë me Drejtorinë Arsimore Rajonale, Avokatin e Popullit, etj.

Një zë të veçantë në këtë sektor zë patrulla e përgjithshme. Marrja e kontigjentit të ri, e kryesisht figura e femrës, ka shërbyer si katalizator pozitiv në rindërtimin e marrdhënies qytetarë – polici. Riorganizimi i shërbimit ka dhënë një efikasitet në parandalimin e ngjarjeve kriminale, nëpërmjet rritjes së efiçensës dhe performances, duke patrulluar dhe kontrolluar territorin, normalizuar trafikun duke marrë masa administrative (gjoba), garantimit të rendit e sigurisë në dhomat e paraburgimit, garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjitha aktivitetet sportive, kulturore, fetare dhe të subjekteve politike,  të zhvilluara në Tiranë.

Nga patrulla e përgjithshme janë realizuar 3163 kapje në flagrancë me 3300 autor,  si dhe 274 persona në kërkim.

Janë organizuar pika kontrolli me plan masash në 2227 raste dhe pika kontrolli në raste ngjarjesh në 1444 raste. Janë shoqëruar në polici 1153 automjete të ndryshme dhe janë kontrolluar 199 377 automjete. Për sa i përket personave të shoqëruar, konstatohet se gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2016  janë shoqëruar në Komisariatet e Policisë Tiranë, 17323 shtetas të ndryshëm, nga të cilët 2983 persona  ndaluar/arrestuar, 14340 persona të këshilluar.

Kësaj patrulle gjatë këtij viti ju implementua një risi teknologjike, kamera e trupit,  një mjet i domosdoshëm për punonjësit e Policisë, i cili nuk mund të manipulohet, apo të fshihet, por është mjeti më i paanshëm mbi interesin e punonjësit e Policisë dhe për interesin e qytetarit.

Në këtë mënyrë, çdo patrullë Policie është e  monitoruar 24/7. Madje pa e kuptuar, Salla e Komandimit do mund të hyjë në veprimtarinë e përditshme të punonjësit të policië, në punën e tij me qytetarët, për të parë nëse punonjësi i Policisë kryen detyrën në mënyrën e duhur dhe i shërben qytetarit ashtu siç duhet. Operatorët në Sallën e Komandimit, duke u konsultuar me sistemin dhe vendndodhjet e GPS të kamerave të punonjësve, orientojnë shërbimet më të afërta për të shkuar në vendngjarje në raste ngjarjesh të ndryshme.

Aktualisht janë në përdorim 580 kamera trupore, të cilat gjatë shërbimit, kryejnë çdo ditë rreth 500-550 filmime. Që nga fillimi i këtij procesi dhe deri në fund të vitit 2016, janë siguruar rreth 90 000 regjistrimeve, të cilat ruhen, administrohen në bazën e të dhenave.

Edhe salla e Komandimit iu nënshtrua një rikonstruksioni rrënjësor, i cili ishte tejet i nevojshëm.

E gjykuam të domosdoshme rikonstruksionin dhe ristrukturimin e Sallës së Komandimit duke implementuar një sërë sistemesh të dixhitalizuara të cilat janë të lidhura zinxhir me njëri tjetrin.

Siç e thashë edhe më sipër ne jo vetëm kemi rikonstruktuar Sallën e Komandimit, por paralelisht kemi punuar edhe për ristrukturimin e saj duke rritur kapacitet njerëzore e duke rekrutuar oficerë të specializuar policie të cilët mund të ofrojnë një shërbim cilësor.

Janë pritur 270.000 telefonata nga publiku, ose 194346 telefonata më shumë se e njëta periudhë e vitit 2015, nga këto, telefonata që janë dërguar shërbimet e policisë janë 104640 dhe telefonata informuese janë 165360.

Gjithashtu, u inkorporuan një sërë sistemesh dixhitale që operojnë të pandashme nga njëra tjertra, si një paketë e plotë.

Dhe më i rendesishmi është Sistemi i numrit të unifikuar 112, një sistem inteligjent, i cili rregjistron të dhënat e telefonuesit në mënyrë automatike.

Implementimi i këtij numëri është një garanci e marrjes në kohë dhe në formë të plotë të të gjihë informacionit, pra  nuk humb asnjë thirrje nga qytetarët. Kemi shkurtuar kohën nga marrja e telefonatës deri në mbërritjen e shërbimit Policor, 2 deri 4 minuta në qytet, duhet pasur parasysh se me sistemin e vjetër të numrit 129, humbisnin rreth 35% e thirrjeve telefonike.

Gjithashtu nëpermjet sistemit të numrit të unifikuar 112, bëhët transferimi i thirrjeve operatorët e Urgjencës, Zjarrfikëses, OSHE, Ujësjellësit  etj.

Komisariati dixhital:

Komisariati dixhital, tashmë i mirënjohur dhe suksesshëm,i shkarkueshëm nga të  gjithë smartfonët, janë  raportuar në kohë reale 37 911 foto ose tekste, për rastet e dyshuara të paligjmërisë dhe korrupsionit.

  • ANKESA janë 8232 raportime
  • PARKIM I GABUAR / AKSIDENT janë 17121 raportime
  • NDERTIM PA LEJE janë 2529 raportime
  • KORRUPSION janë 586 raportime
  • VJEDHJE janë 438 raportime
  • ARMEMBAJTJE / DHUNE janë 467 raportime
  • TE PAVLEFSHME janë 8538 raportime.

 

Hetimin e Krimit Kompjuterik:

Ndërsa nga Seksioni për Hetimin e Krimit Kompjuterik, janë evidentuar dhe  referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë 60 vepra penale.

 

Krimin Ekonomik

Kur flasim për Krimin Ekonomik, pastrimin e parave dhe sidomos për korrupsionin e kuptojmë fare qartë se janë fenomene që dëmtojne rëndë një shtet apo edhe një shoqëri. Ka qenë prioritet gjatë vitit analizues lufta kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit minimizimi dhe parandalimi,  duke arrestuar dhe ndëshkuar çdo person apo funksionar.

Shifrat tregojnë se në total janë evidentuar dhe ndjekur 845 vepra penale nga të cilat zbuluar 825 dhe proceduar penalisht 991 autorë.

Nga viti 2015 në 2016 kemi një ulje të veprave penale me 33 të tilla.

Objektivi në drejtim të korrupsionit për evidentimin e rasteve ka qenë 5 %, i cili është realizuar. Janë në total 203 vepra penale në këtë fushë me gjithsej 303 autorë, nga të cilët 70 janë arrestuar. Vlen për të përmendur disa raste goditjesh korrupsioni, përfshirë prokurorë dhe gjyqtarë, apo dhe disa zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të ulët. Gjithesesi  është e pamjaftueshme kjo panoramë dhe ky rezultat, sidomos në goditjen e korrupsionit në nivele të larta. Sigurisht është shumë e vështirë evidentimi dhe hetimi i rasteve të tilla pa një bashkëpunim dhe përfshirje serioze të institucioneve të tjera ligjzbatuese dhe sidomos Prokurorisë.

Përsa i përket objektivit të pastrimit të produkteve të veprës penale objektivi ka qenë 5 %, i cili ështe realizuar madje tejkaluar me 4 vepra penale më shumë.

Kështu janë evidentuar 84 vepra penale me 99  autorë, nga të cilat 73 janë vetëm për veprën penale të pastrimit të parave dhe produkteve të krimit. Një fakt domethënës është se janë sekuestruar pasuri me shumë se një vit më parë dhe konkretisht 9 milionë e 300 mijë euro, në krahasim me 3 milionë euro të sekuestruara më pak gjatë vitit te shkuar.

Kontrabanda:

Objektivi për rritje të veprave penale në fushën e kontrabandës ku është synuar në shtimin e rasteve  në masën 5 %,është realizuar  me 7 vepra penale më shumë. Edhe pse është realizuar ky objektiv në letër, nuk ka patur ndonjë hetim apo operacion domethënës në fushën e tatim taksave apo doganave. Është vrejtur një punë e dobët  nga specialistët e këtij seksioni, duke u mjaftuar me vepra penale  pa asnjë impakt duke plotesuar në mënyrë mekanike statistikat. Kërkohet një kthesë në mënyrën si ky seksion evidenton dhe ndjek veprat penale, duke u fokusuar më shumë me hetime proaktive në krimet në fushën e tatim taksave dhe atë doganave të cilat pothuajse kanë munguar gjatë vitit analizues.

Duke qenë se më sipër, në analizën e sektorëve të hetimit në Drejtori përmenda Prokurorinë, dua të ndalem për ti falenderuar për bashkëpunimin, i cili në bazë të rezultateve të përkthyera në shifra ka rezultuar edhe këtë vit i suksesshëm. Përsëri ka vend për përmirësim duke përmendur dhe disa problematika të konstatuara në dinamikën e punës me policinë, kryesisht në hetimet proaktive dhe në mardhëniet me taskforcën. Me lejoni të përmend disa:

     Reduktimin e kohës (minimizimin), të rregjistrimit të proçedimeve penale të referuara nga ana e seksionit për korrupsionin, pasi shpesh herë janë konstatuar vonesa gjë e cila sjell pasoja për administrimin dhe grumbullimin e provave.

     Mënyra e trajtimit të korrenspondencës, pasi shpesh herë ajo anashkalohet duke mos u ndjekur protokolli dhe arshiva ndërinstitucionale, prokurorë të veçantë delegojnë detyra oficerëve dhe jua japin ato dorazi, pa vënë në dijeni strukturën hierarkike e cila ndikon në efikasitetin e proçedimeve penale, dhe në matjen e kohës së punës të oficerit të policisë gjyqësore.

     Për rastet e proçedimeve me metoda speciale të hetimit, duhet një mardhënie e reflektuar në kohë, pasi sjell pasoja në gjetjen dhe fiksimin e provave. Ka disa procedime penale të cilat delegohen me shumë vonesë, si pasojë provat mund të humbasin aktualitetin e tyre.

Sektori F.P.të Operacioneve Speciale & Kërkimit:

Sigurisht edhe shërbimi i policisë gjyqësore i Drejtorisë ka shfaqur mangesitë e veta të cilat janë bërë prezente nga ana e prokurorëve gjatë takimeve të përbashkëta që kemi realizuar. Ka qënë një shqetësim i Prokurorisë për shkeljen e afateve të hetimit të dosjeve nga ana opgj, si dhe cilësia jo e kënaqshme e disa hetimeve. Këto problematika dhe shqetësime të tjera që janë diskutuar janë marrë seriozisht nga ana  jonë dhe në disa raste kemi marrë masa edhe ndaj oficerëve të policisë gjyqësore.

Shkurtimisht po ndalem tek Sektori F.P.të Operacioneve Speciale & Kërkimit. Ky sektor  ka mbeshtetur  pothuajse të gjitha Sektorët  dhe Komisariatet në procedimet dhe hetimet e tyre proaktive. Kanë qënë  të shpeshta operacionet, si për arrestimin e personave gjatë procedimeve, ashtu dhe kapjen e personave në kërkim. Për këtë të fundit në total janë kapur 668 persona në kërkim, nga të cilët 100 janë kapur nga kjo njësi operacionale.  Gjatë vitit ka qenë fokus konstant i të gjitha shërbimeve kapja e personave në kërkim, të bindur se ndikon drejtëperdrejtë në parandalimin dhe uljen e kriminalitetit. Shifra që permenda më sipër është domethënse , dhe bëhet akoma më e  fortë, po të përmendim se 18 të kapur janë autorë vrasjesh, 8 për vjedhje me armë dhe me pasojë vdekje, 20 për trafikim dhe shpërndarje narkotikësh, etj.

Një ndër sektorët e rëndësishmën në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë është edhe ai i Policisë Shkencore.  Ky është një sektor në suport të të gjitha strukturave hetimore  në drejtori. Statistikat tregojnë se janë kryer veprime në 3629 raste vendngjarje të ndryshme  ose 382 raste më pak se viti i kaluar.

Janë identifikuar 167 autor të veprave penale me gjurmë daktiloskopike të fiksura në vëndin e ngjarjes. Janë identifikuar në 129 raste, provat materiale të fiksuara në vëndin e ngjarjes, mjete krimi të përdoruara nga autorët, armë zjarri, etj.

Lufta kundër krimit të rrugës:

Lufta kundër krimit të rrugës është dhe mbetet një sfidë serioze për ne. Nga Seksionet e krimeve në komisariate janë evidentuar 8878 ngjarje, prej të cilave janë zbuluar 8074, ose 91 % e tyre, me 7943 autorë.

Kemi 979 vepra penale të ndodhura më pak dhe rritje  të zbulueshmërisë rreth 3 %.

Përtej shifrave , ulja e këtyre krimeve nga viti në vit, tregon angazhim të të gjitha strukturave për të ndjekur çdo paligjshmëri dhe se kontrolli i territorit nga të gjitha shërbimet është në nivelin e duhur.

  • Krimet ndaj personit evidentohen 1759 vepra penale, prej të cilave  janë zbuluar 1716 vepra, ose 97.5 % e tyre, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar ku evidentohen 2059 vepra penale, prej të cilave  janë zbuluar 1961 vepra, ose 95.2  % .
  • Krime ndaj pronës në total, evidentohen 3076 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 2415 vepra ose 78.5 % e tyre, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2015 ku evidentohen  4180 vepra penale, prej të cilave  janë zbuluar 3252, pra 1104 vepra më pak.
  • Vjedhje banesash ndodhur 478 zbuluar 288, ose 60.2%, krahasuar me 568 të ndodhura në 2015 dhe 247 të zbuluara.
  • Vjedhje të automjeteve ndodhur 129 zbuluar 62 ose 48 %, ndërsa në vitin 2015 ndodhur  140 zbuluar 59 ose 42.1 %. Pra 11 vjedhje më pak, dhe rritur zbulueshmëria.
  • Vjedhje lokal tregtie kanë ndodhur 121, zbuluar 57 ose 47.1 % ndërsa krahasuar me vitin 2015 ndodhur 141, zbuluar 44 ose 31.2%
  • Vjedhjeve me dhunë evidentuar 52 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 35, ose 67.3 % e tyre, e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku janë evidentuar 65 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 45 vepra penale, ose 69.2 % e tyre.
  • Ndërtim i paligjshëm: evidentuar 505, me 583 autore, e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku janë evidentuar 632.
  • Vjedhje të energjisë elektrike: janë evidentuar 691, zbuluar 690 raste, me 699 autorë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku janë evidentuar 1114.
  • Prerja e pyjeve janë evidentuar 20, nga këta arrestuar 1 shtetas.
  • Organizimi i llotarive të paligjshme, janë evidentuar 41 raste .

Sic shihet nga të dhënat e mësipërme, shihet një fokusim i Komisariateve të Policisë, kryesisht i Seksioneve të krimeve në reduktimin e ngjarjeve kunder prones, vjedhjeve, dhe zbulimin e tyre.

 

Dhuna në familje:

Dua të ndalem tek dhuna në familje, si një akt që cënon rëndë shëndetin dhe jetën e njeriut. Tashmë dihet se dhuna në familje i kapërcen të gjitha kufijtë dhe është prezente në të gjitha kulturat, por pavarësisht kësaj duhet të punojmë më shumë për të parandaluar apo minimizuar këtë fenomen, të ndëshkojmë çdo rast apo edhe të këshillojmë dhe mbështesim të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë. Statistikat flasin se janë evidentuar 640 vepra penale, me 293 të arrestuar/ndaluar, ose 191 më shumë se viti i kaluar.
Në shumë raste janë shmangur ngjarje të rënda brënda familjes te cilat janë bërë present edhe në media.
Duhet të vendosim objektiva konkrete për të luftuar këtë plagë të shoqërisë, duke përfshirë disa struktura bazike të policise si struktura e policimit në komunitet, seksionet e dhunës ne familje apo psikologu. Polici ne komunitet apo sic quhet ndryshe SPZ-ja, ka qënë hallka kryesore ne evidentimin dhe trajtimin e rasteve, por megjithatë duke parë shifrat puna është akoma e pamjaftueshme, dhe kërkon një ridimesionim të këtij shërbimi.

Për të luftuar ndaj këtij krimi Policia e Tiranës ka bashkëpunar me aktorë të tjerë që trajtojnë problemet e dhunës në familje, si me Shërbimin Social, Prokurori/Gjykatë ,Ministrinë e Shëndetësisë, Drejtorinë Arsimore Rajonale si dhe me OJF të ndryshme që kanë objekt trajtimin e dhunës në familje dhe të viktimave të tyre. Ky bashkëpunim ka konsistuar në zhvillimin e analizave të përbashkëta, në trajnimin e punonjësve të policisë, fushatave sensibilizimi për nxënësit në të gjitha shkollat në territorin e Tiranës.

Bashkëpunimi me pushetin vendor dhe sidomos me institucionin e Prefektit ka qënë në fokusin dhe ndjeshmërinë tonë, kryesisht në fushat e sigurisë në shkolla, sigurisë rrugore, trafikimit të femrave apo të miturve, emergjencat civile ku policia ka qenë një aktor kryesor. Një vit tejet bashkëpunues mes dy institucioneve tona, dhe kam kënaqësinë të falenderoj prefektin e qarkut, për mbështejen që i ka dhënë Policisë së Tiranës në të gjithë veprimtarinë e saj gjatë vitit që lam pas.

E rëndësishme këtë vit ka qenë dhe veprimtaria forcës  “Shqiponja”, një strukturë tashmë e njohur dhe  kosoliduar, e cila ka dhënë tonin e vet në ngjarje apo situata jo të lehta që kemi kaluar.  Por risia sigurisht ka qenë njësia “Shigjeta” e atashuar në këtë sektor. Askush nuk e kishte menduar  se do të paiseshim me nje flote moderne motorrash aq të nevojshmë për një metropol. Për ne ishte emergjente që të ndërhynim sa me shpejt në operacionet policore, duke shmangur trafikun, por prej vitesh nuk na ishte dhënë mundësia. Vizioni i Ministrit të Brendshëm dhe vendosmëria për ta modernizuar Policinë e Shtetit bënë të mundur që në një periudhë të shkurtër të bëhej realitet një nevojë që ishte zbehur. Tashmë Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është pasuruar edhe me këtë njësi operacionale duke krijuar një model pozitiv të policisë si dëshmi e përpjekjes së vazhdueshme për të patrulluar dhe reaguar me shpejtësi në çdo rast.

Kemi kontribuar maksimimalisht për mbarëvajtjen e sezonit turistik, jo vetëm në qarkun tonë. Shërbimet e patrullave kanë qenë të agazhuara për të përballuar fluksin e turistëve dhe menaxhuar trafikun në këto zona. Janë për ty vlersuar dhe falenderuar patrullat dhe njësia e motorrav që përballuan një volum të madh punë në qytetet e Fierit, Vlorës, Himarës, Sarandës, dhe ajo që është më e rëndësishmja, me përformacën e tyre, me komunikimin,  përcollën një imazh mbreslënës të policisë te turisti vendas apo i huaj.

Me bindje them se ishte një vit sfidash dhe një konsolidimi. Them sfidë sepse është sfiduese për këdo të arrijë apo tejkalojë objektivat e vendosura. Them konsolidim sepse ky është viti dytë që punojmë së bashku dhe tashmë mund të them me bindje se rezultatet janë tregues i mirë konsolidimit të bashkëpunimit dhe dëshirës për të garantuar jetën dhe sigurinë e çdo qytetari.

Faleminderit gjithësecilit për përkushtimin, faleminderit djemve dhe vajzave të çdo ZQSH që kanë pritur mijëra qytetarë, faleminderit efektivëve të komisariatit të Policisë Rrugore, të Forcës  Shqiponja, dhe patrullave, që kanë punuar në kushte të vështira dhe kanë reaguar në kohë rekord.

Mirënjohje për çdo seksion që ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme dhe ka tejkaluar objektivat.

Ka ende nevojë për punë, pasi ky vit do të ketë objektiva të tjera dhe kërkesa të tjera. Tashmë jemi nje drejtori e konsoliduar, moderne, bashkëkohore dhe me standarde të larta, që do të thotë se nuk do të ketë justifikim në rast mosrealizimi objektivash.

Shifrat dhe rezultatet janë provë se kjo është policia që qytetarët e Tiranës duan, të cilët na besojnë  jetën dhe sigurinë në komunitetin ku jetojnë.

Njëkohësisht falenderoj dhe median si një partnere e jashtezakonshme komunikimi mes qytetarit dhe policisë duke e bërë punën tonë edhe më të dukshme.

Një falenderim per Drejtorat e Përgjithshëm, pasi suporti i Drejtorive të tyre ka qënë maksimal në gjithë veprimtarinë tonë, duke asituar jo pak herë me mendime, njerëz, dhe logjistik në ndihmë të drejtorisë vendore më të madhe në vend.

Dhe sigurisht në fund dua të falenderoj Drejtorin e Policisë së Shtetit, pasi gjatë vitit që lamë jemi ndjerë të privilegjuar dhe të përkëdhelur nga mbështetja e tij për cdo nismë që  kemi marrë, apo veprimtari që kemi kryer.

Reformimi i policisë:

Sfidë për ne ka qënë absolutisht reformimi i mendësisë së të bërit policin, e shoqeruar kjo dhe me reformim të personelit të këtij institucioni duke preferuar oficerë policie që mund të komunikojnë në mënyrë qytetare duke treguar dashamirësi dhe mbi të gjitha edukatë. Sigurisht ka patur edhe punonjës policie që nuk i’u përshtatën ndryshimeve dhe kodit etik.

Ndaj në total janë ndëshkuar 175 punonjës policie, të cilët kanë refuzuar të përqafojnë reformimin. Në të vërtetë numri është shumë i pakët krahasuar me vitet e kaluara, njëkohësisht krahasuar edhe me numrin e punonjësve që Drejtoria ka, çka do të thotë se tashmë ne kemi fituar edhe një tjetër sfidë, prioritet i Ministrisë së Punëve te Brendshme dhe Policisë së Shtetit, duke arritur të kemi sot në institucionin tonë punonjës më të përkushtuar ndaj qytetarëve, të orjentuar drejt praktikave të mira të komunikimit.

Tashmë çdo efektiv i Drejtorisë, është i pajisur me një uniformë dijnitoze, duke hequr dorë përfundimisht nga një uniformë që mbarte me vete inferioritetin,  mungesën e kulturës dhe zymtësinë prej shumë e shumë vitesh, bërë njësh me portretin e frikshëm të një punonjësi policie aspak bashkëpunues me komunitetin. Sot çdo oficeri në rrugë, në komisariat apo në ZSHQ i është rikthyer dijniteti dhe tashmë nuk shqetësohet se uniforma është zbehur së tepërmi, nuk duket miqësore apo nuk mund të durojë të ftohtin.

Ndaj më lejoni në emer të të gjithë juve, të falenderoj Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Drejtorin e Policisë së Shtetit, të cilët shqetësimet tona prej kaq shumë vitesh për uniformën, i konkretizuan në një kohë kaq të shkurtër.

Bashkarisht kemi punuar që çdo efektiv i Drejtorisë sonë të jetë sa më pranë me qytetarin. Në 2016 bëmë të mundur rikonstruksionin e ambjenteve të Komisariatit Rrugor. Ky institucion që duhej ti siguronte qytetarëve zbatimin me rigorozitet të ligjit, deri në vitin 2014, bashkë me hapësirën përreth nuk dispononte çertifikatë pronësie.

Një prezantim aspak dijnitoz për ketë njësi policore, që  kryen  rreth 70% të volumit të punës në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Duke numëruar në total në një vit kalendarik 200.000 qytetarëve të cilët kanë nevojë për sqarime, shërbime apo informacione nga ky institucion. Mjafton t’ju përmend se në qytetin e Tiranës hyjnë dhe dalin gjatë 24 orëve rreth 250.000 mjete rrugore.

Komisariati i Policisë Rrugore tashmë është modern, i shërben dhe do ti shërbejë qytetarëve me dijnitet, përgjegjësi dhe transparencë, e mbi të gjitha ngjyrat e reja, ambjentet bashkëkohore dhe puna do të jenë dëshmi e rritjes së nivelit të performacës të Policisë së Tiranës, luftës ndaj korrupsionit, i cili ishtë dëshmi e gjallë ngjyrosur në muret e godinës së mëparshme.

Flota e makinave elektrike, ndryshim radikal në Policinë e Shtetit dhe fat për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, efektivët e së cilës mund të preknin më nga afër dhe ti vinin në ndihmë qytetarëve me mjete teknologjike konsumi i të cilave është vetëm 1200 lekë për 100 km.

//tvklan.al