Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Megjithëse nuk ka filluar ende zyrtarisht fushata elektorale, kandidatët kanë nisur kontaktet e takimet e tyre me zgjedhësit. Që prej një jave përgatitjet kanë filluar në dy kampet e PS dhe PD. Ndihet mobilizimi elektoral, tani është një fushatë më e madhe, më e vështirë dhe më me shumë impenjim. Secili ka zgjedhur format e tij specifike, për t’iu drejtuar elektoratit. Shihni deputetin Angjeli, ai është veshur mjaft sportiv dhe ka më se dy ditë që ka zbritur në terren.

Anastas Angjeli:- “Qëllimi i vizitës time këtu është të takohem me një grup të rinjsh dhe studentësh, për t’i pyetur për problematikën dhe kushtet e jetës së tyre, për prioritetet që kanë në këtë periudhë dhe natyrisht për zhvillimin e disa aktiviteteve të përbashkëta gjatë periudhës së fushatës elektorale”.

Angjeli i është rikthyer njerëzve që e zgjodhën atë deputet. Zona 33 ku kandidon Ministri i Financave Angjeli, pritet të jetë një nga zonat me përplasje spektakolare mes kandidatëve. Ai ka si rival kandidatin opozitar Robert Çeku dhe kandidatin e PAD Preç Zogaj. Angjeli shpreson në fitore dhe se do të mundë kundërshtarët.

I ndjekur nga një grup të rinjsh, studentë pjesëtarë të FRESH-it, kandidati për deputet Anastas Angjeli, ka inspektuar punimet në mjaft segmente të zonës së tij. Plane pune, takime me banorë, biznesmenë e pensionistë, për të kontribuar në fitore./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti