Trajneri i “galaktikëve” deklaroi se ndaj City ekipi do të rrezikojë, pasi ka cilësitë për ta bërë

Real Madridi do të bëjë një lojë sulmuese kundër Manchester City në sfidën e kthimit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve në “Santiago Bernabeu”. “Galaktikët” duhet që të përmbysin disavantazhin me 1 gol kundër “qytetarëve”, pasi humbën me rezultatun 4-3 në Angli.

Trajneri i “Los Blancos”, Carlo Ancelotti deklaroi në konferencën për shtyp para takimit, se Reali do të tregojë agresivitet në fushë. Ekipi ka shënuar 11 gola në 4 takimet e fundit të luajtura në Ligën e Kampioneve.

“Nëse ne përpiqemi që të mbrojmë me 10 futbollistë, City do të gjuajë në 99% të rasteve në portë. Ndonjëherë duhet që të rrezikosh dhe ne këtë e kemi bërë sepse kemi shënuar shumë gola në të tilla takime. Tri ndaj PSG, pesë ndaj Chelsea dhe 3 ndaj City. Ndonjëherë duhet të marrësh riskun përsipër, e ne kemi mjaft cilësi për ta bërë këtë. Ata kanë avantazhin, por ne duam finalen”.

“Galaktikët” vijnë pas fitimit të La Liga-s dhe sipas italianit kjo ndikon në moralin e ekipit. David Alaba është i dëmtuar, ndërsa mesfushori Casemiro është i gatshëm për Ancelotti.

Mesfushori veteran Luka Modriç, që synon finalen e pestë në karrierën e tij, ka bindjen se Reali do të fitojë duelin kundër City.

Klan News