Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti beson te përmbysja ndaj Arsenalit në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve, pavarësisht humbjes 3-0 në ndeshjen e parë.
Tekniku italian deklaroi se në “Bernabeu” mund të ndodhë gjithçka, ndërsa theksoi se atmosfera do të jetë e veçantë.
Ancelotti deklaroi se nuk e shikon ndeshje vendimtare për të ardhmen e tij, duke thënë se ekipi ka nevojë për golat e Mbappe.
“I kemi cilësitë për të përmbysur rezultatin. Mund t’ia dalim me përkushtim, përvojë dhe me tifozët në krahun tonë. Është koha për të dhënë gjithçka. Mendërisht jemi shumë mirë, por duhet të kontrollojmë lojën.
‘Bernabeu’ është magjik dhe të gjithë e dinë këtë. Do të jetë një atmosferë e veçantë. Na duhet pak nga gjithçka. Duam të luajmë një lojë me tru dhe me zemër.
Motivimi është aty dhe dua që lojtarët të jenë të qetë para ndeshjes. Jam i sigurt që do të japim gjithçka. Nuk mendoj se është ndeshje vendimtare për të ardhmen time.
Ne kemi nevojë për Mbappe, jo vetëm duhet të mbrojë, por duhet të shënojmë gola. Më shumë se kurrë ne kemi nevojë për golat e tij. Gjëja më e mirë është që të kesh kontrollin e lojës nga fillimi. Goli mund të vijë në çdo moment”, deklaroi Ancelotti.
Ndeshja Real Madrid-Arsenal do të luhet të Mërkurën, duke nisur nga ora 21:00. /tvklan.al