Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti i quajti të pavërteta zërat se ai gjendet nën presion, pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, ndërsa ‘galaktikët’ pozicionohen të dytët në renditjen e La Liga-s.
E ardhmja e italianit është në pikëpyetje pas humbjes në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit.
Mediat në Spanjë raportojnë se 65-vjeçari mund të largohet nga “Los BLankos” në fund të sezonit, me Federatën Braziliane që kërkon që ai të marrë drejtimin e e kombëtares. Dy nga emrat që janë përfolur se mund ta pasojnë janë spanjolli Xabi Alonso dhe gjermani Jurgen Klop.
“Ndihem mirë në klub, sepse drejtuesit janë të vetëdijshëm se ky vit ka qenë më i komplikuar se ai i kaluar. Sepse rrallë ndodh që të kesh një sezon si vitin e kaluar. Tani së bashku të përpiqemi t’i menaxhojmë vështirësitë, jam i lumtur, pavarësisht presionit në rritje. Në këtë periudhë të sezonit, gjithnjë ka shumë stres. E kam thënë gjithmonë, jam plot me stres”.
‘Los Blankos’ do të ndeshen me Getafen në transfertë në mbrëmjen e së mërkurës. Në konferencën për shtyp para takimit, Ancelotti tha se vlerëson rivalët.
“Getafe luan një futboll intensiv, është e organizuar shumë mirë dhe ka ide të qarta. Presim këtë lloj ndeshjeje dhe mendoj se jemi gati dhe të përgatitur, sepse me fundin e sezonit që po afron, sfidat bëhen më të rëndësishme për të gjitha ekipet. Duam që të bëjmë përpara”.
Reali ka 69 pikë nga 32 takime, katër më pak se sa Barcelona kryesuese.
Në fundjavë, do të ndeshen në finalen e Kupës së Mbretit me blaugranat.
Klan News