Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Drejtori i përgjithshëm i KESH-it Andis Harasani, në vazhdën e takimeve me drejtuesit e pushtetit lokal, ka qenë sot në Prefekturën e Beratit ku është takuar me kryetarët e bashkive të kësaj prefekture. Në fakt prefektura e Beratit sipas drejtorëve të divizionit të KESH-it në këtë qark është e para në shkallë republike përsa i përket arkëtimeve.

Si 10 mujor arkëtimet për këtë qark, kanë qenë 93%, ndërsa si 11 mujor 84.8%. Megjithatë humbjet në rrjet janë të konsiderueshme. Kryebashkiaku i Beratit Fadil Nasufi, pasi ka bërë një rezyme të komunitetit që përfaqëson, ka kërkuar nga KESH, që ata që paguhen të furnizohen me energji.

Sipas tij, deri tani kufizimet në Berat janë nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 16, ndërsa në fshat këto kufizime janë më të mëdha dhe shkojnë deri në 12 orë. Në fund drejtori i KESH-it Andis Harasani, ka bërë një rritje në kuotën e furnizimit me energji, si dhe ka premtuar vendosjen e matësve./tvklan.al