Humbja ndaj Turqisë duket se është lënë pas nga Kombëtarja, e cila zbret mbrëmjen e sotme sërish në fushën e Andorrës. Trajnerët e komanduar Ervin Bulku dhe Sulejman Mema pritet ta nisin me një formacion ndryshe sfidën. Në sulm Sadiku është më i mundshmi që të luajë si titullar në vend të Balajt. Nga minuta e parë mendohet të jetë edhe Grezda dhe Uzuni për t’i dhënë më shumë shtysë repartit ofensiv.

Mendohen ndryshime dhe në mesfushë ku në dallim nga Turqia pritet të aktivizohet Basha në vend Memushajt. Përpara sfidës trajneri Bulku tha se rezultati i vetëm që kërkohet është fitorja.

“Jemi munduar të harrojmë sa më shpejt atë humbje ndaj Turqisë. Mendoj se gjendja psikologjike është shumë e mirë dhe do të luajmë të bindur në suksesin.”

Ndryshimi i trajnerit të Shqipërisë nuk u la pa komentuar edhe nga kundërshtarët. Trajneri Koldo Alvarez thotë se do të kërkojë të përfitojë nga kjo situatë.

“Ndryshimi i trajnerit i motivon më shumë, por ne duam që ta kthejmë këtë situatë në favorin tonë.”

Koldo Alvarez drejton prej 2010 Andorrën, ndërsa ka luajtur në ndeshjet e tjera ku Shqipëria u përball me ekipin modest. Një nga fitoret e pakta të skuadrës që renditet e 132 në FIFA është pikërisht ndaj kuqezinjve në 2002.

Tv Klan