Gjatë konferencës për shtyp, Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel dhe Kryeministri Edi Rama kanë komentuar idenë e anëtarit të asociuar të BE.

Michel u shpreh se nuk duhet pritur për vendimin përfundimtar për anëtarësimin, por të ketë edhe një platformë politike, e cila sipas tij aktualisht mungon.

Ndërkohë kryeministri Rama u shpreh se e mbështet plotësisht këtë ide që është propozuar nga Macron. Sipas tij, nëse do të vijë dita që Shqipëria të jetë anëtar i asociuar i BE, do i vijë fundi spekulimeve që BE po mban larg vendet e rajonit.

Gazetarja: Ju propozoni një mekanzëm të ri jo për anëtarësimin e vendeve si Shqipëria apo vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por që i mban afër këto vende me BE. Pse harxhohen kaq energji për të gjetur mekanizma, metodologji të reja, dhe nuk investohen këto energji për t’i dhënë më shumë shtysë dhe në Qershor siç thatë ju shpresoni, por nuk e dimë, Shqipëria dhe RMV të marrin një datë për Konferencën Ndërqeveritare. Pse vazhdon të mbahet peng Shqipëria nga RMV apo disa vite më parë RMV u mbajt peng nga Shqipëria. Pse nuk gjendet një mekanizëm që në Këshillin Europian të ketë një mënyrë që çdo vend të vlerësohet për arritjet e tij dhe të mos mbahet peng për shembull i Bulgarisë për interesa tërësisht të politikës së brendshme.

Charles Michel: Thashë në fillim dhe dëshiroj të ritheksoj faktin që objektivi që kam unë dhe që duhet të kemi është që t’i japim energji të reja procesit të integrimit në BE. Është e rëndësishme që të ketë ecuri, që të zgjidhen për shembull vështirësitë ose mosmarrëveshje, që të fillohen bisedat për anëtarësim sa më shpejt që të jetë e mundur. Këtë gjë e kam thënë. Nuk jam 100% i sigurt se të gjithë, 27 shtetet anëtare duhet të marrim një vendim së bashku. Por unë kam vendosur që kjo çështje e mënyrës si po punojmë me miqtë tanë ta vemë në tryezë, të bisedojmë në takimin e KiE në Qershor, prandaj mora iniciativën që të ftoj miqtë tanë nga Ballkani Perëndimor që të marrin pjesë në takimin e Qershorit dhe mund të mbështeteni tek unë, tek shumë miq të tjerë të Shqipërisë që të bëjmë gjithçka që është e mundur për të tejkaluar këto sfida, probleme, që të fillojmë negociatat. Kjo është një gjë, por nga ana tjetër, është skajshmërisht e rëndësishme që të mos presim për vendimin përfundimtar për anëtarësimin, por që të kemi një platformë politike dhe kjo mungon. Ju duhet të keni rastin që rregullisht në nivel udhëheqësish, në nivel ministrash të bashkërendoni, të bashkëpunoni si mund të trajtojmë këto sfida. Ne mendojmë që është gjë e mirë që të bisedojmë me miqtë tanë për këtë koncept, për këtë ide.  Jo që ne të gjejmë një justifikim tjetër, jo që të shtyjmë këtë gjë, por t’i japim një shtysë më të madhe bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës. Përpara disa muajsh ishim bashkë, kryeministri dhe unë dhe shkëmbyem ide. E bëjmë rregullisht këtë gjë. Kryeministri më tha që sa e rëndësishme është që të përfshijmë në nivel politik, udhëheqësish të gjithë, në mënyrë që t’i kemi së bashku me 27 udhëheqësit e BE. Unë e ndaj këtë mendim me të.  Prandaj kjo është pjesë e asaj që po bëjmë që të zbatojmë këtë lloj qasje, pa pritur aspak për një vendim përfundimtar për anëtarësim në BE. Edhe një gjë tjetër shumë e rëndësishme. Ju e dini, e kemi diskutuar edhe me kryeministrin sot. Një ide që është shumë pranë këtij koncepti që ne dëshirojmë të fillojmë sa më shpejt të jetë e mundur, e anëtarëve të asociuar. Kjo është një qasje e përafërt që dëshirojmë të kemi formatet e duhura, që të bashkëpunojmë, të punojmë që të njihemi më mirë me njëri tjetrin, të kuptojmë se cilat janë vështirësitë dhe si të kujdesemi për njëri-tjetrin. Kjo gjë më pëlqen. Pra ajo që u tha, të kujdesemi për njëri tjetrin dhe të jemi operacionalë. Prandaj se nuk dua të flas pa fund, meqë ra fjala e ritheksova mbështetjen time personale dhe maksimale për këto iniciativa dhe iniciativën e Ballkanit. Është një ide e rëndësishme për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe që të përpiqemi së bashku për të kaluar ato sfida.

Kryeministri Edi Rama: Është një pyetje me shumë rëndësi dhe është me shumë rëndësi që të jepet përgjigja e plotë, pa lënë që të zërë vend ideja që këtu kemi të bëjmë me një shmangie, përkundrazi. Prej disa kohësh unë e kam diskutuar këtë, qoftë me Presidentin e Këshillit Europian, meqë ai e përmendi vetë këtë fakt, në diskutime të brendshme, qoftë me Presidentin e Francës, qoftë me Kancelaren më parë, me Kancelarin e ri dhe kështu me radhë në të gjitha kontaktet, nevojën që Bashkimi Europian të kapërcejë këtë fazë kur e gjithë marrëdhënia jonë me Bashkimin Europian si Shqipëri apo si vende të Ballkanit Perëndimor, është një marrëdhënie që kalon vetëm përmes procesit të integrimit europian, të kapitujve, e kështu me radhë e të hedhë një hap më tutje për ta afruar politikisht shumë më pranë Ballkanin Perëndimor. Natyrisht pastaj teknikalitetet janë një çështje tjetër, por flasim në parim, duke bërë një integrim të menjëhershëm në aspektin politik, që do të thotë në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona në tryezat europiane, në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona, në proceset e përgatitjeve të vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë, që lidhen me përballimin e krizave që na prekin bashkërisht, në mënyrë që të bashkëjetojmë si një komunitet i njëjtë, e natyrisht brenda këtij komuniteti vendet kanë edhe detyrimet e tyre.

Nëse vendet e Bashkimit Europian kanë një numër të caktuar detyrimesh si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian, ne kemi të tjera detyrime sepse nuk jemi ende anëtarë të plotë dhe ideja e anëtarit të asociuar të Bashkimit Europian, është një ide e cila po merr më shumë mbështetje. Natyrisht nuk e dimë se si dhe kur do materializohet, por unë e kam ndjekur dhe e mbështes plotësisht vizionin e Presidentit të Francës, për këtë komunitet të ri, që vjen sot edhe më shumë në rendin e ditës si pasojë e asaj që ndodh në Ukrainë. Pra një komunitet i ri politik europian ku jo vetëm vendet e Bashkimit Europian si anëtarë, por dhe vende të tjera të jenë të përfshira dhe kështu sigurisht për sa na takon ne, jemi shumë më afër bashkimit Europian e nëse do të vijë dita që ne të jemi anëtarë të asociuar të Bashkimit Europian, kjo i jep fund të gjitha spekulimeve, i jep fund të gjitha teorive të konspiracionit, i jep fund të gjitha paranojave se ne po na mban Bashkimi Europian aty larg se nuk do të na fusë e se kështu e se ashtu. Kështu që unë mendoj që kjo është një gjë fantastike./tvklan.al