“Bashkohuni me partinë që punon, jo me atë që shkatërron”
Turi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste u ndal në zonën e Laprakës, dikur bastion i së djathtës. Veliaj duke krahasuar dy forcat kryesore politike, ftoi qytetarët që t’i bashkohen PS-së, si vetmja forcë politike që mban premtimet dhe e çon Shqipërinë përpara.
“Mund të votosh për një parti që dhunon e shkatërron, mund të votosh edhe për një parti që punon dhe ndërton. Mund të punosh për një parti që fle gjumë, mund të punosh për një parti që përvesh mëngët dhe i shtrohet punës. Kjo është politika”.
Një koment, Veliaj e pati edhe për protestën e fundit të opozitës.
“Thoshte një ministër i jashtëm italian pas luftës: “E çuditshme me këta të opozitës, sheshet plot me ulërima, kutitë bosh me vota”. Në këtë fazë ne nuk jemi nga ata që ulërijnë, ndoshta nuk jemi agresivë dhe më mirë që s’jemi, se unë besoj se në finale është rezultati që na duhet, jo kush i bërtiti njëri – tjetrit. Por unë besoj se ne na duhet sasi, por na duhet edhe cilësi”.
Duke iu referuar investimeve dhe transformimit të njësisë 11 në Laprakë, Veliaj tha se do vijojë puna për përfundimin e plotë të Unazës së Madhe në dy krahët e saj.
Tv Klan