Shoqatave të Biznesit që janë bërë bashkë në kërkesën drejtuar Presidentit të Republikes për të mos dekretuar Ligjin për Anëtarësimin e Detyrueshëm të Bizneseve pranë Dhomave Publike të Tregtisë në 12 qarqe në vend, i është bashkuar edhe Konfindustria, që ka mbi 300 biznese anëtare.

Kreu i Konfederatës së Industrive, Gjergj Buxhuku, ashtu si dhomat e tjera të huaja kundërshtuese, thotë se ligji është absurd, i dëmshëm dhe antikushtetues. Ai e quan një takse të re detyrimin e anëtarësimit pranë dhomave të tregtisë, kosto e të cilës sipas tij është përllogaritur në afro 22 mln euro në vit.

Buxhuku thotë se në vendet që aplikohet anëtarësimi i detyrueshëm, dhomat nuk mbrojnë interesat, por thjesht japin shërbime. Por në rastin e Shqipërisë, këto shërbime ende merren në shtet, si përshembull në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe pagesa vjetore me detyrim për anëtarësimin do të thotë pagesë të dyfishtë për bizneset.

Absurditeti i këtij ligji qëndron në faktin se, bizneset që janë anëtare me dëshirë në një nga dhomat e huaja në vend apo shoqata të ndryshme të biznesit, në radhë të parë do të jenë të detyruara që kundrejt një pagese që shkon deri në 1 milionë lekë të vjetra, të anëtarësohen me detyrim pranë dhomave të tregtisë publike, që janë 12 në të gjithë vendin.

Edhe pse ligji është miratuar tashmë në parlament, misteri më i madh qëndron në faktin, se çfarë i pret bizneset që nuk pranojnë të anëtarësohen dhe cilat janë penalitetet, çka nuk është parashikuar në ligj.

Tv Klan