Pasi pranoi 1 milion refugjatë në vitin 2015 dhe arriti një marrëveshje me Turqinë për të ndalur emigrantët nga Mesdheu një vit më vonë, Merkel do të nisë një pakt të ri të migrimit në Bashkimin Evropian.

Plani pritet të prezantohet nesër dhe nga zyrtarë të BE-së është bërë e ditur se ajo do të kërkojë të ndajë me shtetet e tjera detyrën e pranimit të qindra mijëra refugjatëve që mbërrijnë me anije çdo javë në vende të ndryshme evropiane.

Një diplomat tjetër nga Bashkimi Evropian tha se Merkel me një pakt të tillë do të vendosë një gur themeli në politikën e saj dhe shpreson të mbetet si trashëgimi politike e nxitur nga ajo.

Sipas zyrtarëve dhe diplomatëve të njohur me projektin, plani do të detyrojë secilin shtet të Bashkimit Evropian të pranojë një numër refugjatësh në këmbim të 10,000 Eurove për person, të financuar nga buxheti i BE. Kombet që nuk respektojnë zotimet e tyre do të përballen me procedura të shkeljes në gjykatat e BE-së që mund të çojnë në dënime me gjoba të majme.

Gjithsesi pritet që të njëjtat shtete të cilat pesë vjet më parë refuzuan pranimin e refugjatëve nga lufta e Sirisë ose atyre që ikin nga varfëria nga vende të Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Azisë, do të mbajnë po të njëjtin qëndrim edhe këtë herë.

Merkel, e cila ka thënë se nuk do të kërkojë rizgjedhjen e saj si Kancelare në votimet që do të mbahen në  vitin e ardhëm në Gjermani, arriti të bindë shtetet e tjera të BE-së për të marrë hua në vlerë prej 750 miliardë Eurosh, si fond për rimëkëmbjen nga pandemia.

Kujtojmë se pasi Merkel hapi dyert e Gjermanisë për refugjatët sirianë në vitin 2015, mori kosto të mëdha elektorale duke bërë që e djathta ekstreme të rritet me politikën anti-imigrim. /tvklan.al