Kancelarja gjermane: Bashkëpunimi për treg të përbashkët rajonal ende nuk është arritur

Në përfundim të Samitit të Berlinit, kancelarja Angela Merkel ka bërë një bilanc të bashkëpunimit disa vjeçar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas nismëtares së këtij procesi, Samiti solli një nivel të ri bashkëpunimi dhe shumë përparime për qytetarët por nuk la pa përmendur dhe çfarë nuk u arrit nga ky proces.

“Bashkëpunimi për një treg të përbashkët rajonal dhe njohja e diplomave, janë çështje që nuk janë arritur ende, por pritet të avancohet së shpejti, së paku më 6 Tetor të këtij viti. Pra, në tërësi ka pasur dritë dhe hije në vitet e fundit. Disa gjëra janë bërë, por ka edhe shumë për të bërë”.

Angela Merkel u ka dhënë përgjigje dhe gjithë kritikëve të BE-së ndaj çështjes së zgjerimit, mes tyre dhe Kryeministri Edi Rama.

“Ne kemi hapur një numër të madh kapitujsh, kemi rindërtuar procesin e zgjerimit. Për shumë vende të Ballkanit Perëndimor shpejtësia është shumë e ngadalshme, por edhe Bashkimi Evropian ka pasur shumë rezerva. Gjithsesi, ne duhet ta bëjmë Bashkimin Evropian të aftë për të pranuar anëtarë të rinj”.

Në konferencën përmbyllëse të samitit, Merkel foli edhe për korrupsionin, duke marrë si shembull Shqipërinë.

“Është bërë shumë, por ka edhe shumë për t’u bërë në drejtim të korrupsionit. Kur shoh se si po emërohen gjyqtarët e rinj, për shembull, me procesin e Vettingut në Shqipëri, atëherë shoh se po bëhen përparime pararendëse të qëndrueshme”.

Përvec paketës së investimit prej 500 milionë Euro në 2021 për Ballkanin Perëndimor, Kancelarja gjermane njoftoi edhe për asistencë në procesin e vaksinimit, me 3 milionë doza vaksinash.

Ky ishte takimi i fundit i Angela Merkel me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor si Kancelare e Gjermanisë.

Klan News