Daily Mail: I dënuar për vrasje, Eugert Merizaj flirte e lojëra online nga qelia
Media britanike, Daily Mail, i ka kushtuar një shkrim një shqiptari të dënuar me 32 vite burg për vrasje. Eugert Merizaj, i cili ndodhet në qeli në Mbretërinë e Bashkuar, komunikon vazhdimisht nëpërmjet rrjetit social Tik-Tok me persona të tjerë, brenda dhe jashtë burgjeve. Sipas Daily Mail, shqiptari flirton me gra dhe vajza si dhe luan lojëra online, pavarësisht se celulari është i ndaluar në burg.
I dënuar me heqje lirie për vrasjen me armë gjahu të një rivali të drogës, Merizaj, sipas medieve angleze merr dhurata virtuale në ndjekësit, të cilat mund ti këmbejë në para.
Komunikimet e tij me admiruesit në rrjetin social janë 5 minutëshe, dhe kanë qenë të shpeshta gjatë javëve të fundit.
Eugert Merizaj 32-vjeç sipas medieve, mburret se telefoni i tij ishte hedhur në burgun e tij në Manchester me dron dhe se ai e fsheh atë brenda një tualeti.
Me pseudonimin “Babale”, ai shprehet se nëse celulari zbulohet nga punonjësit e policisë së burgjeve, ai thjesht do të blinte një tjetër. Celulari që përdor aktualisht është i treti dhe secili prej tyre ka vlerë 2 mijë paund.
Ngjarja për të cilën është dënuar Eugert Merizaj ndodhi në 2019 pas prishjes së pazareve të drogës mes bandës së shqiptarëve dhe një 30-vjeçari nga Kurdistani.
Sipas dëshmive në gjykatë, gjithçka u zbulua nga një papagall, i cili kishte fluturuar jashtë kafazit pasi kishte dëgjuar të shtënat.
Sipas vendimit të gjykatës, edhe pse Merizaj nuk e ka tërhequr këmbëzën e armës, por ai ka planifikuar gjithçka për ekzekutimin e kurdit.
Klan News