Sfida me Anglinë është ende larg, gjithsesi, Sylvinho dhe stafi i tij kanë nisur të mendojnë seriozisht për formacionin që do hedhin në fushë nga minuta e parë.

Në daljet për shtyp, braziliani shpesh ka përsëritur faktin që i përshtatet kundërshtarit për të aplikuar më pas edhe mënyrën e rreshtimit. Anglia njihet për cilësitë fizike dhe shtatlartësinë, një aspekt që kombëtarja jonë e zotëron më shumë në repartin e mbrojtjes.

Për këtë fakt, nuk përjashtohet mundësia që të luhet me 5 futbollistë, me 3 prej tyre që do të vendoseshin në qendër.

E në fakt, alternativat nuk mungojnë me Kumbullën-Ismajlin e Gjimshitin që do të ishin më të favorizuar kundrejt Ajetit apo dhe Mihaj. Megjithatë, duhet të studiohet edhe gjendja fizike e tyre, por edhe përshtatja me njëri-tjetrin në këtë repart për të vendosur më pas.

Në krahun e djathtë, Balliu nuk ka rival, teksa në të majtë, rivaliteti do të jetë mes Hadroj dhe Alijit.

Edhe në mesin e fushës pritet të ketë trafik lojtarësh, për të hedhur 4 njëherësh. Asani në të djathtë e ka vendin thuajse të sigurtë, ndërsa në të majtë Bajrami. Qendra do të formohet sipas të gjithë gjasave nga Asllani dhe Ramadani.

Reparti i sulmit mund t’i besohet Armando Brojës, i vetëm, për shkak se njeh lojën e Kombëtares angleze, ndërsa forma e mirë në javët e fundit sheh si favorit edhe Rey Manaj, me dyshen e repartit të sulmit që  konsiderohen edhe si faktor kryesor për të zgjidhur çështjen gol te kuqezinjtë.

Klan News