Anglia në finalen e Euro 2020, përballet me Italinë


Anglia në finalen e Euro 2020, përballet me Italinë

23:41 07/07/2021

Itali-Angli do të jetë finalja e Euro 2020 që do të luhet më 11 Korrik në Wembley të Londrës. Pas italianëve, sot tifozët mësuan finalistin e dytë në ndeshjen Angli-Danimarkë, një sfidë që u zhvillua mes emocioneve të forta dhe që pati gjithashtu edhe gola.

“Tre Luanët” u befasuan nga një supergol i Danimarkës në minutën e 30. Damsgaard tronditi rrjetën e Pickford nga goditja e dënimit duke shtuar frikën mes tifozëve anglezë. Por barazimi do të vinte 9 minuta më vonë. Për të shënuar do të ishin vetë danezët me Simon Kjaer. Kapiteni shënoi, por në portën e gabuar duke vënë barazimin 1-1.

90 minutat e rregullta nuk mjaftuan për të gjetur një kundërshtar për Italinë dhe skuadrat iu drejtuan minutave shtesë. Në minutën e 103 shënoi Harry Kane. Sulmuesi humbi penalltinë, por për fatin e tij të mirë, topi iu kthye në këmbë dhe shënoi golin e dytë që e çoi Anglinë në finale.

“3 Luanët” nuk do ta kenë të lehtë ndeshjen finale. Ata gjejnë Italinë e cila një natë më parë dërgoi në shtëpi Spanjën falë penalltive. Kjo është hera e parë që Anglia, vendi ku lindi futbolli, shkon në finale. Ndërkohë “Azzurri”-it kanë shkuar 3 herë në finale dhe e kanë fituar atë 1 herë në vitin 1968. Në vitin 2000 dhe 2012, italianët janë shpallur nënkampionë.  /tvklan.al







Të ngjashme