Gjini: Të enjten startojnë provimet e maturës. Pjesë e testit nuk do jenë temat e zhvilluar online

Ministria e Arsimit prej dy javësh ka nisur konsultimet publike me grupet e ndryshme të interesit, në lidhje me hartimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit për pesë vitet e ardhshme. Zamira Gjini, Drejtore e Përgjithshme e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit në Arsimin Parauniversitar, në një intervistë për Klan News ka thënë disa nga risitë të cilat do të nisin vitin e ri shkollor.  

“Nxënësit e klasës së parë do të kenë në programin e tyre edhe Gjuhën Angleze dhe kështu kjo do të vijojë. Gjuha Angleze do jetë gjuha e parë për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e 12-të. Në vitin e ardhshëm shkollor që në klasën e parë do të integrohen në programin mësimor edhe kompetenca e IT e Edukimit për Teknologji dhe Informacion”, është shprehur Zamira Gjini.

Në fokus të kësaj strategjie janë edhe shtimi i mësuesve ndihmës, si edhe kualifikimi i mëtejshëm i arsimtarëve që janë në sistem. Vitit shkollor po i vjen fundi, ndërkohë që nxënësit e klasave të 9-ta dhe maturantët janë në prag të nisjes së provimeve përmbyllëse. Provimet e maturës do të startojnë më 3 Qershor me provimin e detyruar të gjuhës së huaj. Këtë vit, sipas Gjinit, ndryshe nga një vit më parë, provimet do jenë edhe me zhvillim dhe jo vetëm me alternativa.

“Kushtet në të cilat është zhvilluar mësimi për maturantët e këtij viti, por edhe një viti më parë, që ata e kanë bërë në klasën e 11, një pjesë të mësimit nga Marsi deri në Qershor e kanë bërë online. Këto pjesë që janë zhvilluar në këtë periudhë të mos trajtohen në koncepte të tilla që mos t’i ngarkojnë maturantët”, është shprehur Gjini.

Në ambientet e provimit nuk lejohet mbajtja e celularëve, ndërsa maskat janë të detyrueshme.

Klan News