Ka shërbyer në misione shpëtimi emigrantësh

Një shenjë që dëshmon partneritetit e shëndoshë SHBA – Shqipëri, është kjo anije ushtarake aspak e zakontë që ndodhet në Portin e Durrësit e cila shërben edhe si një përgjigje e punës së vazhdueshme mes dy vendeve për të përforcuar bashkëpunimin për një Evropë të qëndrueshme.

“Më 3 Janar në Portin e Durrësit, u ankorua anija e marinës amerikane Trenton, një nga më të shpejtat e flotës e cila nuk e ka vizitën e saj të parë në Shqipëri. E ndërtuar më 2015, kjo anije ka shërbyer në misone të ndryshme edhe në ato të shpëtimit të emigrantëve në vende të ndryshme”, raporton gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.

“Shqipëria është një aleat dhe partner i rëndësishëm i NATO-s me të cilin ne punojmë gjatë gjithë vitit. Miqtë duhet të bashkohen dhe të punojnë së bashku. Me këtë vizitë në Shqipëri, ne shpresojmë që të mësojmë për kulturën shqiptare, të angazhohemi me partnerët tanë ushtarakë shqiptarë dhe të zhvillojmë këto lidhje që të gjithë kombet kanë me njëri-tjetrin, veçanërisht në  NATO dhe me partnerët tanë atje”, shprehet komandanti i anijes, Damon Bateson.

Komandanti Damon Bateson, na njeh me çdo hapësirë të anijes ushtarake.

Ajo shërben për të transportuar paisje logjistike për ndihma emergjente, e shndërrohet edhe si një strehë për njerëzit që vijnë nga zona lufte, pasi kapaciteti i saj lejon të mbajë deri në 312 persona. Në 2018 ekuipazhi i Trenton shpëtoi nga mbytja 40 emigrantë.

“Ajo që është unike në lidhje me këtë anije është se ne jemi shumë funksionale.

Ne mundësojmë logjistikën, ne mund të sigurojmë ndihmë humanitare dhe ndihmë për situata emergjente. Është speciale sepse mund të operojmë me një shpejtësi të lartë dhe të arrijmë kudo në Mesdhe”.

Ndërsa gjatë këtyre ditëve, ekuipazhi i anijes do të mund shijojë pak edhe nga kultura shqiptare.

“Ata i duan vendet historike si Kulla Veneciane. Dhe nga sa më kanë thënë, të gjithë kanë shijuar darka të shkëlqyera përgjatë qytetit”.

Për katër ditë do të qëndrojnë në Durrës anija ushtarake Trenton, e cila për herë të parë u ndal në Durrës në vitin 2021.

Tv Klan