Anija e ndaluar për mbetje toksike rezulton e pastër, por kapiteni mbetet në arrest shtëpie



Anija e ndaluar për mbetje toksike rezulton e pastër, por kapiteni mbetet në arrest shtëpie

21:04 02/07/2020

Emisioni “Stop” trajton sot rastin e një anijeje në Vlorë, që fillimisht në Shkurt 2020 udyshua se transportonte mbetje toksike.

Festim Tefa: Akuza të ngritura për vepra penale, menaxhim i mbetjeve, transport i ndotjeve, në 5 nene dhe kontrabandë me mallra të kufizuara që kryhen në bashkëpunim…Në gjykatën e Vlorës, të shkallës së parë, unë fola për këto probleme, u mundova t’i sqaroja, se çfarë ishin dhe çfarë rrezikshmërie ka. Për mua nuk ka rrezikshmëri, se përderisa ato janë pjesë të anijes, ato nuk ka mundësi që një kantier prestigjioz gjerman të bëjë ndërtime të anijeve dhe në to të vejë mbetje toksike tej normave të lejuara, sepse të gjitha anijet e botës, në pjesët e brendshme, në kabina, kanë lesh xhami…

Pas hetimit dhe bërjes së analizave për materialet edyshuara, prokuroria vërtetoi se nuk bëhej fjalë për mbetje toksike. Informacioni rezultoi i pavërtetë dhe duket se u prodhua për shkak se anija “Damian” kishte ulur ndjeshëm çmimet e biletave të pasagjerëve dhe transportit të automjeteve.

Festim Tefa: U tha që fuçitë mund të ishin mbushur me lëndë helmuese…ishin fuçitë e vajit, të zeza me mbishkrim të verdhë që shikon kategorinë e vajit.  Leshin e xhamit e quajtën se ka lëndë helmuese mbi normat e lejuara, nuk e di se si e kishin…

Ironia është se edhe pse mbetjet nuk rezultuan toksike dhe anija u la e lirë dhe vazhdon punën normalisht, kapiteni i saj, Festim Tefa, mbahet sërish në arrest shtëpie.

Prokurori i Vlorës, A.Xh nuk jep shpjegime për këtë absurd, duke kërkuar shkresë zyrtare.

Gazetari- Përshëndetje zoti Xhaferraj! Si jeni?

Prokurori Arjan Xhaferraj- Përshëndetje! Si kaluat?

Gazetari- Genci Angjellari ju shqetëson, gazetar I emisionit “Stop”.

Prokurori Arjan Xhaferraj – Mirë, si kalove? Më thuaj!

Gazetari- Doja të pyesja, në lidhje me këtë anijen, që u pretendua, se ishte për mbetjet toksike. Unë po merrem personalisht me rastin e kapitenit, që është akoma në arrest shtëpie.

Prokurori Arjan Xhaferraj– Po! Bëj një kërkesë! Në rast se kërkon një informacion, bëj një kërkesë zyrtare, të të kthejmë një përgjigje zyrtare!

Gazetari- Jo thjeshtë, për ta konsumuar, sepse është absurde. Kanë dalë mbetjet që s’janë toksike, anija është në lëvizje e sipër dhe këta janë akoma në arrest.

Prokurori Arjan Xhaferraj– Kërko informacion në rrugë zyrtare, që të marësh informacion në rrugë zyrtare! Dakord? Jo me telefon!

Gazetari- Jo, absolutisht e kërkoj, por është absurd. Më kupton? Që të qëndrojnë ata në arrest shtëpie, ndërkohë që….

Festim Tefa: Mua nuk më ka ndodhur asnjë lloj problem gjatë gjithë jetës sime edhe kur kam shërbyer, nuk kam pas asnjë lloj avarie shyqyr Zotit, por edhe kujdesit, sepse kam qenë edhe shumë i kujdesshëm. Por kështu tani nuk e di se si ndodhi, u bë një spektakël televiziv me informacione që nuk na takonte ne. Edhe u ofenduam, tani nëse u mendua që ne kemi transportuar mbetje kontrabandë, në shkelje, kush janë edhe provat tani që të bindemi ne. Sepse akuzohem për një krim, që se kuptoj për çfarë akuzohem. Pastaj a mund ta bëj unë diçka të tillë, në këtë moshë, që kam punuar një jetë të tërë me ndershmëri në punë, kam qenë ushtarak. Të paktën ushtarakët janë edukuar që mos të bëjnë vepra të tilla, nuk mund të ndryshoj unë në moshën 70-vjeçe dhe të bëj gjëra të tilla./tvklan.al




Të ngjashme