Një ngarkesë e madhe me drogë është gjetur e braktisur në ishujt Marshall, kanë deklaruar autoritetet vendase.

Mendohet se anija me 649 kg kokainë, që kap vlerën e 80 milionë Dollarëve, mund të jetë zhvendosur nga Amerika Latine, duke kaluar ndoshta muaj të tërë në Oqeanin Paqësor.

Anija me gjatësi 5.5 metra u gjet nga një banor i cili u mundua ta lëvizë, por kuptoi se ajo ishte shumë e rëndë. Pasi njoftoi policinë, u zbulua se brenda saj kishte qindra pako me drogë, në një ndarje të fshehur brenda barkës.

Prokurori i Përgjithshëm i Ishujve Marshall, Richard Hickson, tha se anija mund të ketë lundruar për më shumë se një vit dhe ka shumë të ngjarë të ishte nisur nga Amerika Qëndrore ose Jugore.

Rrymat e Oqeanit Paqësor shpesh shtyjnë mbetjet nga atje në Ishujt Marshall, ndaj kjo nuk është ngarkesa e parë e drogës që kapet në ishull.

Pjesën më të madhe të kohës, droga e gjetur shitet nga vendasit dhe nuk raportohet tek autoritetet. Kjo gjë ka çuar në përdorimin e shumtë të kokainës nga banorët lokalë, dhe spitalet kanë raportuar një rritje të pacientëve me komplikime në lidhje me konsumimin e drogës.

Klan Plus