Anija “fantazmë” rishfaqet pas 9 vitesh e humbur në det



Anija “fantazmë” rishfaqet pas 9 vitesh e humbur në det

21:55 01/09/2018

Rishfaqja e papritur e një anijeje  “fantazmë” që preku brigjet e Mianmarit jugor ka shokuar peshkatarët lokalë, të cilët u habitën pasi zbuluan se anija gjigante nuk kishte asnjë njeri në bord.

Anija ‘Sam Ratulangi PB 1600,’ ngeci në bregun e fshatit Thama Seitta këtë javë pasi rezultonte e humbur në det prej rreth një dekade.

Peshkatarët lokalë u ngjitën në bordin e anijes pasi njoftuan autoritetet. Skuadra të marinës, rojës bregdetare dhe policisë inspektuan anijen e braktisur 177 metra të gjatë, 27 metra të gjerë me 26 mijë tonë.

 

Një zyrtar lokal tha se në anije nuk ishte gjetur asnjë njeri dhe as mall. “Është shumë e çuditshme se si një anije kaq e madhe mbërriti në ujërat tona”, tha Ne Win Yangon për “Myanmar Times”.

Anija ka lundruar nën flamurin indonezian dhe për herë të fundit është parë afër brigjeve të Tajvanit në vitin 2009.

“Mendoj që anija është braktisur së fundmi. Duhet të ketë një arsye për këtë”, tha sekretari gjeneral i Federatës së Pavarur të detarëve të Mianmarit, Aung Kyaw Linn.

“The Irrawaddy” raporton se autoritetet po përpiqen të gjejnë pronarin e anijes, por mund të jenë të detyruar ta shpëtojnë vetë anijen e cila ka ngecur në bregdetin me rërë të Mianmarit. /tvklan.al







Të ngjashme