Këngëtarja e njohur, Anjeza Shahini në një lidhje në Skype me emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka folur për jetën e saj pas ardhjes në jetë të vajzës. Anjeza prej disa vitesh jeton në Londër së bashku me bashkëshortin e saj, diplomatin britanik Paul Edward Conolly.

Ardhja në jetë e vogëlushes së saj ka ndodhur më herët seç pritej, sepse vajza ka lindur 26-javëshe dhe për këtë arsye janë detyruar të qëndrojnë për 3 muaj në spital. Por fatmirësisht gjendja shëndetësore e Torit, tani është e mirë.

Më tej, këngëtarja ka treguar se ajo ka realizuar disa krijime muzikore dhe po pret momentin e duhur për t’i sjellë për publikun. Kujtojmë se hera e fundit që Anjeza ka marrë pjesë në festival ka qenë në vitin 2014 tek “Kënga Magjike”, me këngën “Energji”.

Ç’është e vërteta, në njëfarë mënyre më mungon, por ajo çfarë më mungon më shumë se skena apo kënga është eksperienca ime në prapaskenë, me njerëzit më të dashur, me kolegët, ato momentet e bukura që ti përjeton, duartrokitjet. Por unë nuk e shoh si diçka që nuk do vijë sërish, apo nuk do kem ndonjë moment për ta përjetuar. Unë me muzikën e kam lidhjen gjithmonë, mbi të gjitha kam dhe aktivitetin që kam hapur vetë, trajnoj studentët e mi dhe kjo më jep një farë lidhje të fortë me muzikën. Por në të njëjtën kohë, nuk kam ndenjur fare aq e qetë, madje edhe gjatë shtatzënisë dhe tani me bebe të vogël, jam marrë me disa krijime, me disa gjëra të bukura. Shpresoj në të ardhmen, kur të kem mundësi, kur kushtet të plotësohen, ndoshta do t’i sjell për publikun. Por unë e kam mbyllur për shembull me festivalet dhe kjo është një gjë që unë e kam bërë të hapur prej kohësh”. /tvklan.al