Ankaraja: Mund të goditemi nga një tërmet 7.5 Rihter



Ankaraja: Mund të goditemi nga një tërmet 7.5 Rihter

15:45 27/01/2020

Vala e tij do të ndihet deri në Itali e Australi

Në Elazig, ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë operacionet në përpjekje për të gjetur të mbijetuar. Numri i viktimave ka arritur në 41. Nën rrënojat e objekteve të shembur besohet se ka të tjerë.

Por teksa përballet me pasojat e këtij tërmeti me magnitudë 6.8, autoritetet turke thonë se po përgatiten për një tjetër tërmet edhe më të madh, 7.5 në shkallën Rihter. Ekspertët thonë se epiqendra do të jetë Stambolli, me 16 milionë banorë. Ministri i Brendshëm, Sulejman Sojlu thotë se këtë paralajmërim, qeveria turke e ka marrë seriozisht.

“Në Stamboll presim një tjetër tërmet me magnitudë 7.5. Po punojmë seriozisht për një skenar të mundshëm të tërmetit”.

Shqetësimin e ngriti gjatë një interviste për mediat turke në fundjavë, kreu i Dhomës së Inxhinierëve Gjeologë të rajonit të Marmarasë Jugore, Engin Er. Sipas tij, tërmeti do të jetë aq i fuqishëm sa lëkundjet do të ndihen deri në Austri dhe Itali. Vala e tij përfshin edhe Ballkanin.

Ndër qytetet që do të goditen më fort do të jenë Stambolli dhe Bursa. Inxhinieri thotë se pllaka tektonike e Anadollit, mbi të cilën shtrihet pjesa më e madhe e territoreve aziatike të Turqisë, ka grumbulluar energji të madhe. Pjesa më e rrezikuar, siç e tregon edhe ai në hartë është linja veriore e kësaj pllake, që prodhon tërmete të magnitudave 7.2 të shkallës Rihter.

Tërmeti i fundit i fuqishëm që ka goditur Bursën ishte ai i 165 viteve më parë, që shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit.

Tv Klan



Të ngjashme