Ende pa u dhënë rezultati final se kush do të jetë fituesi i tenderit për koncesionin e kontrollit të instrumenteve matës në karburante, kompanitë kanë nisur ankimimin për procedurën dhe kriteret që po vendosen për këtë garë. Një kompani ndërkombëtare ka bërë ankesë zyrtare në Komision e Prokurimit Publik për shkeljen e kushteve të barabarta në tender.

Shoqëria Penzoil Trading SA, me seli në Zvicër, ka depozituar ankimimin më datën 28 Shtator, 1 javë pas hapjes së procedurës nga qeveria.

Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije, se ankesa lidhet me disa kushte të kritereve të vendosura në tender, ku shumica e dokumentacionit kërkohen të akredituara nga agjencitë shqiptare dhe jo ato ndërkombëtare.

Në Qershor, Këshilli i Ministrave miratoi një bonus me 10% të pikëve për kompaninë Noa Control, e cila ka bërë një ofertë të pakërkuar për të marrë me koncesion kontrollin e pompave të karburanteve.

Sot këtë shërbim e kryen Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë kundrejt një tarife prej 7 mijë lekësh të rinj për kolaudimin e një njësie. Të njëjtën ofertë ka bërë edhe kompania Noa Control, e cila propozon që kontrolli të bëhet me tarifën 50 euro për kolaudimin e një pajisjeje që ka pika e karburantit.

Tv Klan