“Annie” është një shfaqje shumë e njohur ndërkombëtarisht. Një muzikal jo vetëm për fëmijë, por edhe për të rritur vjen për herë të parë në Shqipëri nga aktorja dhe producentja Monika Lubonja.

Kjo shfaqje do të ketë premierën këtë fundjavë më datë 8 Qershor në orën 19:00, në skenën e ArTurbina dhe ka rezervuar shumë surpriza për publikun. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan,  Monika Lubonja tregoi detaje rreth shfaqjes.

“Në qendër të këtij musical është historia e “Annie” , 11-vjeçarja e cila e braktisur në jetimore nis kërkimin për të gjetur prindërit biologjikë. Më pas jeta e saj merr një drejtim tjetër pasi ajo adoptohet nga një milioner. Ky muzikal u shfaq për herë të parë në New York dhe korri sukses të madh. Për shkak të kërkesës së madhe, “Annie” u shfaq në teatër për 6 vite pa ndërprerje, duke thyer çdo rekord të mundshëm në teatrot e New Yorkut. Por unë nuk dua të zbuloj më shumë rreth shfaqjes sepse dua që spektatori të vijë dhe të shikojë se çfarë do të ndodhë. Është një histori prekëse, por edhe e gëzueshme”,tha Monika Lubonja./tvklan.al