Ansu Fati do të jetë mungesa e madhe e Barcelonës në ndeshjen e ardhshme të Ligës së Europës kundër Napolit. Sulmuesi 19-vjeçar po kalon një sezon të vështirë, duke bërë vetëm pesë paraqitje në La Liga për shkak të një sërë lëndimesh dhe problemet e tij fizike vijojnë të shfaqen.

Siç raportojnë mediat spanjolle, Fati pësoi një dëmtim në tendinën proksimale të kofshës së këmbës së majtë në sfidën e Kupës së Mbretit kundër Bilbaos. Katalanasit ende nuk e kanë bërë të ditur se sa kohë do të mbetet jashtë, por është pothuajse e sigurtë që ai do të humbasë sfidën e parë play-off kundër Napolit më 17 Shkurt.

Sipas gjasave, 19-vjeçari do t’i nënshtrohet një operacioni, por tani për tani, Barcelona dëshiron të presë dhe të shohë shkallën e saktë të dëmtimit të tij. Deri më tani, Fati ka munguar tashmë në 23 ndeshje këtë sezon për shkak të dëmtimit të tij në kofshë dhe problemeve me gjurin.

Klan News