Kimi Antonelli është pranë një arritjeje historike në Formula 1.
Piloti 20-vjeçar i Mercedesit ka mundësinë të bëhet kampioni më i ri në historinë e këtij sporti dhe italiani i parë që fiton titullin botëror pas 73 vitesh, por për ta realizuar këtë objektiv që në Çmimin e Madh të SHBA-së, do t’i duhet një kombinim rezultatesh.
Gara e së dielës, më 25 tetor, në Austin të Teksasit, mund të jetë vendimtare për pilotin nga Bolonja.
Antonelli kryeson renditjen me 102 pikë avantazh ndaj shokut të skuadrës, George Russell, ndërsa në fund të garës do të mbeten maksimumi 125 pikë për t’u fituar gjatë sezonit.
Për ta siguruar titullin që në këtë garë, italiani duhet ta rrisë diferencën me të paktën 23 pikë. Kjo do të thotë se një fitore është e domosdoshme, por nuk mjafton e vetme.
Antonelli duhet gjithashtu që George Russell të mos përfundojë më lart se vendi i nëntë dhe Lewis Hamilton, shtatë herë kampioni i botës me Mercedesin në të kaluarën, të mos renditet më lart se vendi i pestë.
Nëse këto rezultate nuk realizohen, gara për titullin do të vazhdojë në Meksikë, një javë më vonë.
Antonelli ishte vetëm katër vjeç kur Sebastian Vettel fitoi titullin në vitin 2010, në moshën 23-vjeçare, duke u bërë kampioni më i ri i botës në Formula 1.
Tani, piloti i Mercedesit ka mundësinë të thyejë rekordin dhe të shkruajë emrin e tij në historinë e këtij sporti.
Italia nuk ka festuar një kampion bote në Formula 1 që nga Alberto Ascari, i cili fitoi titullin e tij të fundit në vitin 1953.
Antonelli mund t’i japë fund kësaj pritjeje të gjatë, në sezonin e tij të dytë në elitën e garave automobilistike.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
