Antonio Guterres bën betimin si Sekretar i përgjithshëm i OKB-së

Antonio Guterres bën betimin si Sekretar i përgjithshëm i OKB-së

09:05 13/12/2016

Portugezi António Guterres bëri betimin të hënën si sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, duke u bërë sekretari i nëntë me radhë në këtë detyrë.

“OKB-ja duhet të jetë e shkathët, efikase dhe efektive dhe duhet të përqendrohet më shumë në rezultate dhe më pak në proces; më shumë tek njerëzit dhe më pak tek burokracia,” tha zoti Guterres.

Ish-kryeministër i Portugalisë në vitet 1995-2002 dhe shefi i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët në vitet 2005-2015, zoti Guterres, 67 vjeç, fitoi në një garë të hapur 10 muajshe ndaj më shumë se 10 kandidatëve për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Në një botë që përballet me numrin më të madh të refugjatëve dhe krizën migrante më të madhe që nga fundi i luftës së dytë botërore; me një numër konfliktesh në Lindjen e Mesme dhe Afrikë; me kërcënimin e terrorizmit dhe pasojat e ndryshimit klimatik, zoti Guterres do të ketë shumë punë për të bërë kur të marrë detyrat më 1 janar nga shefi në largim i OKB-së, Ban Ki-moon.

“OKB-ja duhet të jetë gati për të ndryshuar. Mangësia jonë më serioze – dhe këtu e kam fjalën për të gjithë komunitetin ndërkombëtar – është paaftësia jonë për parandalimin e krizave. Kombet e Bashkuara kanë lindur nga lufta. Sot ne duhet të jemi këtu për paqe”, tha Guterres.

Gjatë një konference për shtyp pas ceremonisë, Guterres u pyet se çfarë do të bëjë në lidhje me situatën në Siri. Antonio Guterres tha se shpreson të jetë një ndërmjetës i drejtë, duke krijuar kushte për krijimin e besimit për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Kjo është një luftë pa fitues; një luftë në të cilën të gjithë humbasin. Kjo luftë është kërcënim për mbarë botën; është koha për t’i dhënë fund këtij absurditeti,” tha Guterres.

Gjithashtu, shtetet anëtare të OKB-së nderuan zotin Ban Ki-moon, i cili ka udhëhequr organizatën gjatë dekadës së kaluar.

Përfaqësuesit vlerësuan administrimin e OKB-së prej tij gjatë një periudhe krizash financiare, konflikte, katastrofa globale natyrore dhe shpërthime të sëmundjeve, dhe u ngritën në këmbë duke duartrokitur.

Mandati i zotit Ban do të përfundojë në fund të këtij muaji. Ai do të kthehet në vend-lindjen e tij, Korenë e Jugut, në mes të janarit, ku, sipas zërave, mund të kandidojë për president.

Të ngjashme
UKT