Vetëm një ditë pasi mori delegimin në krye të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka vendosur të shkarkojë dy funksionarë të këtij institucioni.

Sara Goxhaj nuk do të jetë më nënkryetare e bashkisë, e cili për një ditë u vendos nga Erion Veliaj si kryetare e komanduar.

Në pamje po shihni vendimin e firmosur nga kryetarja e komanduar Anuela Ristani, ku në këtë urdhër parashikohet që marrëdhëniet financiare i përfundojnë këtë të premte.

Gjithashtu është shkarkuar dhe Alban Dokushi që mbante pozicionin e drejtorit të drejtorisë juridike, të aseteve dhe lincesimit në bashki. Në një dalje enkas për mediat, kryetarja e komanduar Ristani theksoi se nuk ka krizë në bashkinë e Tiranës.

“Nuk ka asnjë krizë funksionale në bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën energji, me të njëjtën vision që na ka udhëhequr ndër vite nën drejtimin e kryetarit Erion Veliaj”, thotë Anuela Ristani.

Kryetarja e komanduar e bashkisë, falenderoi edhe Kryeministrin Rama i cili sipas saj, po i qendron afër stafit të bashkisë

“Dua të shpreh mirënjohjen timë për Kryeministrin Edi Rama i cili në këto ditë sfiduese po i qëndron pranë stafit të bashkisë dhe qytetit të Tiranës”, tha Ristani.

Erion Veliaj u përpoq ditën e enjte të sqarojë situatën e paprecedentë të krijuar në Bashkinë e Tiranës dhe e justifikoi tërheqjen nga vendimi i tij duke thënë se emërimi i Sara Goxhajt kishte ardhur si pasojë e një keqkuptimi.

Ashtu si Veliaj, edhe kryetarja e komanduar, Anuela Ristani u përpoq të sqarojë se kryebashkiaku që gjendet në burg e kishte marre vendimin në kushtet e një informacioni të cunguar.

Klan News