“Të ketë sanksione për opozitën që braktisi Parlamentin”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar për Klan News pas anulimit të dy gjobave nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve.

Përmes një lidhje telefonike, Veliaj është shprehur ky vendim është rikthim në normalitet. Sipas tij, ajo që duhet të gjobitet është opozita që ka braktisur detyrën duke u larguar nga Parlamenti.

Erion Veliaj: Më në fund kemi një rikthim në logjikën njerëzore dhe binarët e arsyes, ku ai që është caktuar të punojë, të vazhdojë punën. Por historia që meqë dikush iku nga Parlamenti dhe nga Bashkia, atëherë të gjithë të tjerët duhet të braktisin detyrën e tyrë më duket një anomali dhe mesa duket vendimi i Apelit ishte që kjo është një anomali.

Pyetje: Megjithatë është marrë në një kohë relativisht të shkurtër si vendim, pra është shfuqizimi i dy gjobave si asaj 35 dhe tjetrës me 40 mijë Lekë. A keni ju pretendime tjera, përveç faktit që morët atë që ju kishit kërkuar pra shfuqizimin e dy gjobave?

Erion Veliaj: Nuk kam asnjë pretendim, sepse u shfuqizuan të dyja vendimet e KQZ-së, i vetmi pretendim që kam është qe ne si shoqëri duhet të fillojmë dhe të reflektojmë pra. Ne bëjmë ligje dhe hartojmë vendime për të përkëdhelur sedrën e atyre, që në fakt duhet të merrnin dënim. Dikush që lë postin në parlament, pavarësisht nëse është opozita për Shqipëri, duhet të dënohet, duhet të ketë një sanksion për dikë që e merr bashkinë, e humb me 10 vota e fiton me 80 vota të rinumëruara dhe pastaj 4 vjet fle gjumë dhe nuk bën asgjë pra, duhet të ketë dënime për rastet kur nuk punohet dhe braktiset detyra. Edhe në ushtrinë shqiptare nëse një ushtarak, ikën nga vend roja ose ikën nga fronti ku është caktuar, ka një polici ushtarake që thotë, ti quhesh dezertor sepse tradhtove detyrën dhe misionin. Ndërkohë që ne themi, jo vetëm që nuk dënohen ata që ikin nga bashkitë, që ikin nga pushteti qëndror dhe ikin nga parlamenti. Ne përkundrazi, i themi të gjithë pjesës së shëndoshë të shoqërisë që ju tani duhet t’i llastoni këta dhe duhet të penalizoheni ju që punoni më shumë seç duhet, sepse duken keq këta që nuk punojnë.

Pyetje: Megjithatë Z. Veliaj, jemi të vetëdijshëm për faktin që kur ju shkoni dhe dorëzoni çelësat e banesave që ju ndërtoni, ju flisni herë pas here edhe politikisht, a konsiderohet kjo sipas jush si një fushatë elektorale?

Erion Veliaj: Unë flas gjithmonë politikisht. Kam përshtypjen që ky nuk është një interpretim për median, ky është një interpretim i atyre që janë të specializuar për këtë punë.

Pyetje: Megjithatë ju u keni bërë ftesë mediave që të pasqyrojnë këto aktivitete, apo jo?

Erion Veliaj: Ju jeni të lirë, ftesa është që të pasqyroni 24 orë punët, jam i sigurt që ju nuk keni 24 orë të bëni vetëm këto punë. Ftesa për transparencë vlen gjithë ditën dhe gjithë natën. Ajo që ndodh është që ne nuk habitemi, kur dikush shkon dhe gënjen dhe thotë se kjo familje s’është ndihmuar, ky rast nuk është përgjigjur, dhe quhet e paligjshme dhe habitemi kur dikush thotë jo vetëm që është ndihmuar po ja ku është shtëpia, ja ku është pagesa, ja ku është fatura. Pra dikush që abuzon dhe për fushatë është gati të gënjejë dhe të mashtrojë e të tregojë gjëra të pavërteta, duhet kapur dhe duhet diskredituar nesë gënjen dhe duhet lejuar ai që e ka bërë punën të thotë ja ku i ka marrë paratë, ja ku e ka dhe pagesën ja ku e ka dhe shtëpinë e ndërtuar mos gënjeni dhe mos abuzoni duke hapur panik. Ndërkohë që ka shumë njerëz të cilët kur shohin lajme të tilla thonë, ka progres, janë bërë 100 shtëpi, janë edhe 52 të tjera. Janë bërë 200 në Farkë, kanë ngelur edhe 50. Pra, të jep një sens progresi përtë kuptuar që gjërat janë me radhë. Në pamundësi për t’i bërë të gjitha, kur shikon që fqinjit i është bërë dhe sapo ka filluar e jotja, sigurisht ajo është një informim publik që unë e kam të detyruar me ligj të informoj publikun mbi progresin e këtyre punëve, sidomos kur bëhet fjalë për çatinë mbi kokë.

Pyetje: Duke qenë se jemi të kjo pikë, sa banesa janë konkretisht deri në 25 Prill, që do t’u dorëzohen çelësat?

Erion Veliaj: Ne momentalisht kemi rreth 800 kantierë, kemi kantierë masiv, siç është i 5 Majit dhe i Kombinatit. Ndërkohë që disa, kantierë janë më të vegjël, nesër ne do të vazhdojmë prapë me shtëpitë në Farkë. Duhet ta vësh veten në pozitën e dikujt që sot është në një konteiner. Po të ishim ne të dy në konteinerë, të dy do thonim në djall fushata, kur do të bëhet shtëpia ime dhe më sillni letrat e shtëpisë sepse s’dua t’ia di për politikë sa dua t’ia di për strehimin e fëmijëve të mijë. Unë besoj që për një kryetar bashkie, marrin prioritet këta njerëz dhe jo llasticat e politikës që në pamundësi për të bërë ndonjë punë, duan të pengojnë të tjerët që të bëjnë punë.

Kryebashkiaku Veliaj ishte gjobitur me 35 mijë Lekë dhe 40 mijë Lekë nga KQZ për mosraportim të aktiviteteve publike në kohë pandemie, të cilat tashmë janë rrëzuar nga Apeli.

Klan News