Masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë vendosur të anulojnë përkohësisht disa fluturime drejt Italisë, si masa kundër përhapjes së koronavirusit.

Më të ashpra janë masat e marra nga qeveria e Kosovës. Ministri i Infrastrukturës Lumir Abdixhiku kërkoi anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve nga aeroportet e Veriut të Italisë, atje ku përhapja e koronavirusit është më e madhe. Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Adixhiku shprehu keqardhje për këtë vendim ekstrem që iu desh të ndërmerrte Qeverisë së Kosovës, por ai e konsideroi këtë si të vetmen zgjidhje.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, disa kompani ajrore njoftuan anullimin e fluturimeve drejt Veriut të Italisë. Ndër to është edhe kompania ‘Wizz Air’ që ndali fluturimet nga Shkupi drejt Milanos dhe Venecias e anasjelltas. Kjo kompani planifikon të mos kryejë fluturime të paktën deri më 5 prill, kur qeveria italiane ka parashikuar heqjen e masave të jashtëzakonshme në gjithë vendin.

Kosova, bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi, janë të vetmet vende në rajon që ende nuk janë prekur nga koronavirusi. Ndërsa Maqedonia e Veriut numëron 3 pacientë të infektuar, të tre të ardhur nga Italia.

Tv Klan