E njëjta masë edhe për transportin detar

Një ditë pasi Kryeministri italian vendosi izolimin e të gjithë Italisë për shkak të koronavirusit, Shqipëria ndërpreu të gjitha fluturimet drejt shtetit fqinj.

Lajmin e bëri të ditur mesditën e kësaj të marte Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Në një dalje për mediat ajo tha se vendimi vjen pas shpalljes së Italisë si zonë e kuqe.

“Pas vendimit të marrë nga shteti italian dhe deklaratës së bërë nga Kryeministri Conte për shpalljen e Italisë si zonë të kuqe totalisht, jemi të detyruar edhe ne të ndërmarrim masa për ndërprerjen e fluturimeve nga Rinasi drejt Italisë, apo që vijnë nga Italia drejt Rinasit. Kështu që tashmë të gjitha aeroportet italiane që kishin mbetur të hapura për operime, siç ishte ai i Romës apo i Barit duke u nisur nga Shqipëria nuk do të jenë më të aksesueshme”.

“Avioni i fundit, ai i Alitalia është ulur në 10:30 me 64 pasagjerë të cilët kanë kaluar që të gjithë nga kontrolli mjekësor dhe janë regjistruar nga grupet e Ministrisë së Shëndetësisë që ndodhen në aeroportin e Rinasit për t’u kontrolluar edhe në ditët në vazhdim, pasi u kërkohet autokarantinimi të gjithë këtyre personave sapo të ardhur në Shqipëri. Avioni tjetër është nisur në orën 11:40, avioni i Alitalias drejt Romës dhe këtu ndërpriten të gjitha fluturimet”.

Balluku tha më tej se në rastet kur autoritetet italiane do të vendosin për të tërhequr nënshtetasit e tyre nga Shqipëria, apo edhe pasagjerë të tjerë që kërkojnë të shkojnë në Itali, kjo do të jetë e mundur vetëm nëse avionët do të aksesojnë Shqipërinë pa pasagjerë.

“Për të qenë të qartë, avionë që vijnë bosh nga Italia, pa pasagjerë, pasi pasagjerë nga Italia nuk do të lejohen më që të vijnë në Republikën e Shqipërisë. Këta avionë bosh mund të marrin pasagjerë nga Shqipëria për t’i dërguar në Itali”.

Kompanive ajrore, Ministrja u bëri thirrje që të akomodojnë personat që kanë blerë bileta drejt Italisë në data të ardhshme.

“Vazhdojmë të bëjmë thirrje që kompanitë duhet të akomodojnë nën shembullin e kompanive të tjera, siç është Austrian Airlines në Austri, apo Air Albania në Shqipëri. Akomodoni me data të tjera, personat që kanë blerë bileta në kompaninë tuaj. I bëjmë thirrje të gjitha kompanive shqiptare dhe të huaja të cilat kryenin udhëtime drejt Italisë dhe për nga Italia që të akomodojnë të gjithë pasagjerët që kanë bileta të blera tashmë, në data të ardhshme”.

Sa i përket transportit detar, sonte do të nisen tragetet e fundit nga Vlora dhe Durrësi. Pas këtij itinerari, Balluku theksoi se nuk do të ketë udhëtime të tjera në drejtim të Barit e Brindizit./tvklan.al