Do të rinumërohen edhe 23 kuti të tjera votimi

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa ka anuluar zgjedhjet në komunën e Hanit të Elezit, ku për rrjedhojë do të ketë rivotim.

Sipas vendimit PZAP-ja e ka pranuar si të bazuar ankesën e kryetarit të kësaj komune, Rufki Suma i cili pretendon se gjatë netëve të fundit të zgjedhjeve lokale në Komunë e Hanit të Elezit simpatizantët e PDK-së, kanë bërë presion mbi qytetarët ku çdo qytetarë e kanë përcjellë me veturë dhe i kanë bërë ultimatum që të mos futen nëpër shtëpi, pra po ashtu dyshojmë se janë shpërndarë mjete për blerje të votave. Parashtruesi i ankesës thekson se e kanë lajmëruar Policinë e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë dalë për t’i shpërndarë turmën e njerëzve.

Kjo komunë ka gjithsej 11 vendvotime. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim  për rinumërimin e 23 vendvotimeve, të cilat nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta, për shkak të problemeve të natyrave të ndryshme, kryesisht teknike.

8 prej 23 vendvotimeve që do të rinumërohen janë për kryetarë të komunave dhe 15 të tjera për kuvende komunale. KQZ-ja ka lënë të hapur mundësinë që kësaj liste t’i shtohet edhe ndonjë vendvotim, i cili do të rinumërohet. Sami Kurteshi i VV-së, kërkoi sqarime përse po ndodhin gabime të kësaj natyre.

“Për gjitha këto sqarime dhe rekomandime, po dua me ditë pse çdo herë këso lloj gabime po ndodhin. A po bëhen qëllimisht apo jo”.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet që gjatë kësaj jave të fillojë edhe numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave të ardhura përmes postës nga votuesit jashtë Kosovës. Për shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, KQZ-ja nuk ka dhënë akoma një datë të saktë. Raundi i dytë i Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahen më 14 Nëntor.

Tv Klan