Komuniteti Mysliman Shqiptar ka vendosur që të anulohet falja e namazit nëpër xhami. Ky vendim vjen pas situatës së krijuar nga koronavirusi i ri.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë Edi Rama përshëndeti këtë vendim dhe deklaroi se është i duhuri në kohën e duhur që duhet t’i jepte popullit shqiptar.

““Kur bie epidemia as mos shko aty ku ka rënë as mos lëviz nëse bie aty ku je”, porosit profeti Muhamed, paqja e zotit qoftë mbi të. Respekt, respekt, respekt për komunitetin mysliman që vendosi anulimin e faljes së namazit dhe të çdo tubimi nëpër xhami. Ky është jo vetëm vendimi i duhur në kohën e duhur, por edhe mesazhi më kuptimplotë që komuniteti mysliman mund t’i jepte mbarë popullit shqiptar”, shkruan Rama.

11 persona janë infektuar nga koronavirusi në vendin tonë, ndërsa këtë të mërkurë u shënua viktima e parë, një grua nga Durrësi.

Qeveria ka marrë masa ekstreme, nga mbyllja e shkollave për dy javë e deri tek mbyllja e lokaleve, restoranteve dhe mjediseve ku grumbullohen shumë njerëz për të parandaluar përhapjen e koronavirusit./tvklan.al