Pas vendimit të Francës dhe Gjermanisë për anulimin e takimit të Parisit që ishte paraparë të mbahej më 1 Korrik ndërmjet palës kosovare e asaj serbe, Kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me partnerin e koalicionit qeverisës, kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Haradinaj ka thënë se nuk i di arsyet se pse është shtyrë Samiti i Parisit. Ai ka vlerësuar se pas takimit të Berlinit, procesi i dialogut është qartësuar dhe se nga ai takim është konfirmuar se e vetmja gjë që ka mbetur pa u zgjidhur është njohja reciproke në kufijtë ekzistues.

“Tek takimi i Parisit sa herë del hairi del dhe sherri, është mirë që po qartësohet. Edhe takimi i Berlinit ka konfirmuar se e vetmja gjë që ka mbetur pa u zgjidh është njohja reciproke në kufijtë ekzistues”.

Sipas tij, pas takimit të Berlinit është kuptuar se palët nuk janë ende të gatshme të ulen për të biseduar për marrëveshjen finale.

Për analistin Fisnik Halimi, anulimi i këtij takimi nuk ka të bëjë me kërkesën e Serbisë për heqjen e taksës si kusht për takim, por me problemet e brendshme të Bashkimit Europian.

Ditë më parë, Beogradi zyrtar ka insistuar për anulimin e këtij takimi duke thënë se nuk do të zhvillohet takim pa u hequr taksa ndaj produkteve serbe të vënë nga qeveria e Kosovës në Nëntor të vitit të kaluar.

Tv Klan