Të gjashta kompanitë, të cilat morën pjesë në tenderin e dytë të zhvilluar për lotin e dytë të Unazës së Madhe të kryeqytetit, nga rrethrrotullimi i sheshit Shqiponja, deri të Pallati me Shigjeta janë skualifikuar nga gara. Konferenca e parë e drejtueses së re të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, iu dedikua kësaj gare të anuluar, pasi asnjë nga ofertuesit nuk ka përmbushur kriteret ligjore.

Pasi të bëhet firmosja e procesverbalit të anulimit të tenderit, ARRSH do të rihapë dhe njëherë garën për këtë lot. Sonila Qato tha se do t’i dërgonte një raport për këtë procedurë edhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Televizioni Klan ka mësuar nga burime konfidenciale në Prokurorinë e Përgjithshme, se një prej anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave është kallëzuar penalisht për braktisje të detyrës. Kallëzimi është bërë nga Drejtorja e Autoritetit Rrugor, Sonila Qato.

Në një bisedë telefonike, znj.Qato sqaroi se kjo ishte një procedurë detyruese që duhet të bënte, pasi anëtari i KVO-së nuk ishte paraqitur në punë gjatë periudhës që duhet të bëhej vlerësimi i ofertave në garën e dytë dhe ishte zëvendësuar.

Burime konfidenciale thanë për Televizionin Klan se anëtarët e KVO-së e kanë patur të vështirë vlerësimin për shkak të ngjarjeve që ndodhën në tenderin e parë, ku DH Albania rezultoi se kishte falsifikuar dokumentacionin dhe përfitoi një kontratë me vlerë 18 milionë euro.

Ndryshe nga tenderi i parë që u fituan nga e vetmja kompani pjesëmarrëse me ofertë afër fondit limit, gara e dytë solli oferta të ndryshme nga 6 kompani, ku më e ulta ishte 3.7 milion euro më pak se vlera e shpallur në tender.

Tv Klan