Një qytetare nga Tirana ka denoncuar në emisionin Stop në Tv Klan problemin me një agjenci udhëtimi të quajtur “London Travel”.

Ela Papa tregon se ka qenë në Kinë dhe u ka kërkuar prindërve në Tiranë të interesoheshin për nje biletë që të kthehej në Shqipëri.

Prindërit shkuan në agjencinë e udhëtimeve “London Travel” në datën 3 Qershor 2021 dhe prenë një biletë që kushtonte 1500 Euro.

Por udhëtimi u anulua nga linja “Turkish Airlines” dhe agjencia nuk e kishte lajmëruar, ndaj vajza kishte kërkuar ribursimin e biletës.

Ajo thotë se prej 5 muajsh prindërit kanë shkuar pranë agjencisë, po nuk i kanë marrë paratë.

“Unë quhem Ela Papa. Në datën 3 Qershor unë i kam kërkuar prindërve të mi që të bënin një prenotim për biletë për të udhëtuar nga Pekini në drejtim të Stambollit dhe pastaj nga Stambolli në Tiranë duke qenë se janë udhëtime të lidhura dhe shumë gjatë. Pasi kam bërë këtë kërkesë, prindërit e mi u drejtuan te agjencia ‘London Travel’. Kur u drejtuan atje morën së pari pagesën që ishte 1500 Euro. U bë prenotimi dhe pas dy muajsh unë nuk u lajmërova fare nga agjencia, udhëtimi ishte anuluar. Udhëtimi do të bëhej në datën 12 Shtator 2021. Po atë ditë i kërkova agjencisë që të më shpjegonte pse nuk më kishin lajmëruar. Më thanë do gjejmë mundësi të tjera vetëm që përshpejtohuni sepse mundësitë janë shumë të vogla duke qenë se po udhëtoja nga Kina dhe Kina vazhdimisht futet vetë në karantinë. Ata nuk u interesuan brenda ditës dhe i bëra kërkesën për të anuluar biletën dhe për të kërkuar rimbursimin. Prindërit e mi vazhdimisht shkonin te agjencia sepse unë isha ende në Kinë në ato momente. Jepnin përgjigje të përgjithshme; mund t’i marrësh pas 3 muajsh, 6 muajsh, 1 vit, mund mos t’i marrësh fare. Ndër të tjera thonin që kompania nuk na i ka kthyer lekët. Prindërit e mi janë sorollatur për 5 muaj”.

Ela Papa shkon sërish në agjencinë e udhëtimit për të marrë mbrapsht paratë e saj, por e vetmja gjë që i thonë është se do t’ia kthejnë por se kur nuk dihet.

Denoncuesja: Si jeni? Mirëdita!

Punonjësja: Si kalove?

Denoncuesja: Në fakt kam ardhur për një rimbursim bilete.

Punonjësja: Pa e zgjidhur me kompaninë, cfarë të të kthejmë përgjigje?

Denoncuesja: Nuk e keni zgjidhur akoma me kompaninë?

Punonjësja: Në zgjidhje e sipër jemi.

Denoncuesja: Akoma nuk ka ardhur rimbursimi?

Punonjësja: Po mirë, unë po flas nuk kam mbaruar akoma. Problemi është, që me Air Albania nuk merr rimbursim, sepse s’ka lidhje fare Air Albania me Turkish. (Pjesa e udhëtimit Stamboll-Tiranë)

Denoncuesja: Po e kishit shkruar, që ka penalitet. Po!

Pronari: Pekin-Stamboll do të rimbursohet.

Denoncuesja: Po kur?

Pronari: Shumë shpejt!

Denoncuesja: Po mirë, cilin e keni afatin e fundit të rimbursimit?

Pronari: Afat nuk ka.

Denoncuesja: Domethënë ju jeni korrekt me këtë, që ata nuk kanë kthyer përgjigje, apo jo? Edhe nuk kanë dhënë rimbursim. (Për kompaninë e udhëtimit)

Pronari: Në momentin, që kthehen lekët, në sekondë t’i japim.

Denoncuesja: Jeni i sigurtë, për këtë, që jeni duke thënë?

Pronari: Po! 100%!

Denoncuesja: Jeni 100% i bindur?! Mirë!

Agjencia “London Travel” justifikohet se nuk i ka rimbursuar akoma kompania “Turkish Airlines”. Por rezulton se Turkish i ka kthyer prej kohësh paratë agjencisë.

Pas vajzës dhe prindërve të saj, kësaj agjencie i drejtohet gazetarja e “Stop”. Pronari thotë se ka një afat për rimbursim, që mund të jetë edhe një vit. Por vajzës do t’i kthehen lekët për një javë, edhe pse ai pranon që i ka marrë nga Turkish Airlines.

Gazetarja: Ela Papa është vajza, e cila ka kërkuar rinbursimin e pagesës, që ka bërë për një biletë, udhëtimi i së cilës, është anulluar.

Pronari i agjencisë: Po!

Gazetarja: I është thënë nga ju, që do t’jua japim tani, do t’jua japim pastaj dhe nuk i është dhënë kurrë pagesa?

Pronari: Do t’i jepet këtë javë, javën tjetër!

Gazetarja: Që ajo ka disa muaj, që ju i thoni kështu, apo jo?

Pronari: S’ka disa muaj.

Gazetarja: Dhe i keni thënë, që nga kompania nuk ka ardhur asnjë përgjigje.

Pronari: Nejse, s’ka problem.

Gazetarja: Zonja ka marrë një përgjigje nga Turkish Airline, që i thuhet, se është rimbursuar agjencia, që në datën 28 korrik dhe ju vajzës i keni thënë, që nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga kompania.

Pronari: Po!

Gazetarja: Ju nuk keni marrë një përgjigje nga kompania?

Pronari: Do t’i kthehen lekët javën, që vjen. Brenda një viti kalendarik, e kam me ligj nga qeveria shqiptare e miratuar vjet, që i kthehet shërbimi mbrapsht.

Gazetarja: Po pse duhet një vit, kur ju jeni rimbursuar nga kompania e udhëtimit?

Pronari: Ç’lidhje ka?

Gazetarja: Ka lidhje, sepse si është gjëndja e një familjeje , nuk është e një tjetre. Unë e kuptoj, që ju keni gjëndjen tuaj financiare të agjencisë.

Pronari: O, goc! Ti nuk kupton një gjë. Nuk është se po të vij unë. Ti vjen edhe kërkon një shërbim. Unë jam biznes privat. Kur të më bëhet mirë mua dhe kur të shoh nevojat e biznesit tim, të likujdoj ty.

Gazetarja: Do ta marri zgjidhjen javës tjetër?

Pronari: 100% po!

Por pas këtij takimi, qytetares iu kthyen paratë nga agjencia e udhëtimit. /tvklan.al