Shteti Islamik ka trajnuar të paktën 400 luftëtarë për të sulmuar Europën, me qëllim organizimin e sulmeve vdekjeprurëse, duke vendosur celula terroriste të ngjashme me ato që goditën Brukselin dhe Parisin, ndërsa urdhrat janë që të zgjedhin kohën, vendin dhe metodën që do të shkaktojë sa më shumë dëm.

Lajmi bëhet i ditur nga Agjencia e Lajmeve “The Associated Press”, që shkruan se bëhet fjalë për celula të një rrjeti gjysmë autonom dhe të trajnuar mirë, që kanë për destinacion Europën, pavarësisht nëse humbasin terren në Siri apo Irak.

Lajmi konfirmohet për AP nga zyrtarë, përfshirë ata të inteligjencës europiane dhe irakene, gjithashtu edhe nga një ligjvënës francez, që ndjek rrjetet xhihadiste, sipas të cilëve, bëhet fjalë për kampe të ngritura në Siri, Irak, madje edhe në ish – bllokun sovietik, ku militantët trajnohen për të sulmur Perëndimin.

Përpara se të vritej në aksionin e policisë, lideri i sulmeve të 13 Nëntorit në Paris, deklaroi se kishte hyrë në Europë bashkë me një grup prej 90 personash, me kombësi të ndryshme, që janë shpërndarë “pak a shumë gjithandej”.

Por arritja më e madhe deri më tani, në hetimet e sulmeve të Parisit, arrestimi i Salah Abdeslam të premten e shkuar, nuk e parandaloi sulmin që pasoi vetëm 4 ditë më pas në aeroportin dhe metronë e kryeqytetit belg, duke vrarë të paktën 31 persona dhe plagosur rreth 300 të tjerë. 3 prej kamikazëve mbetën gjithashtu të vdekur.

Teksa në Paris dhe në Belgjikë autoritetet po kërkonin për të paktën një prej autorëve të sulmeve të së martës, këtë herë për në njeri të veshur me xhaketë të bardhë, i cili u kap nga kamerat e sigurisë së aeroportit bashkë me dy kamikazët që u vetëhodhën në erë, frika shtohet, se ky njeri, identiteti i të cilit, sipas zyrtarëve belg, nuk dihet, do të ndjekë rrugën e Abdeslam.

Pasi u arratis nga Parisi, menjëherë pas sulmeve të Nëntorit, Abdeslam formoi një rrjet të ri, në lagjen ku ishte rritur, në Molenbeek, e njohur prej kohësh si parajsa e xhihadistëve dhe ajo çfarë bëri ishte që rindërtoi një plot të ri.

“Jo vetëm që u zhduk totalisht nga qarkullimi, por ai ia doli gjithashtu të organizonte një tjetër sulm, me bashkëpunëtorë gjithandej. Me jelekë shpërthyes. Dy sulme të organizuara njësoj si në Paris. Dhe arrestimi i tij, duke qenë se ata e dinin që do të fliste, ishte një përgjigje: ‘Çfarë do të ndodhte nëse ai do të arrestohej? Do t’ju tregojmë se nuk ndryshon asgjë’”,

kështu deklaron Senatorja franceze Nathalie Goulet, pjesë e komisionit për zbulimin e rrjeteve xhihadiste.

Sipas zyrtarëve, përllogariten rreth 400 deri në 600 luftëtarë të Shtetit Islamik, të trajnuar specifikisht për sulme të jashtme. Nga ana tjetër, janë rreth 5 mijë europianë që kanë shkuar në Siri.

Sipas Senatores Goulet, e vërteta është se, nëse do të dihej numri ekzakt i tyre, këto sulme nuk do të ndodhnin.

Dy prej terroristëve që ndërmorën sulme vetëvrasëse të martën, vëllezërit e lindur në Belgjikë, Ibrahim dhe Khalid El Bakraoui, ishin të njohur nga autoritet si kriminelë të zakonshëm, por jo si radikalë kundër Perëndimit, deri javën e shkuar, kur një apartament i marrë me qera prej tyre, çoi në gjurmët e Abdeslam.

I ngjashëm rasti i një algjeriani, që u vra brenda apartamentit të tij më 15 Mars, i cili në Suedi rezultonte se kishte kryer vetëm një vjedhje banale, e megjithatë, ai i ishte bashkuar Shtetit Islamik në 2014, duke u kthyer në kamikaz dhe u rikthye në Europë si pjesë e plotit të 13 Nëntorit.

Teksa mori përgjegjësi për sulmet e së martës, Shteti Islamik përshkruaji një “celulë sekrete ushtarësh” të shpërndarë në Bruksel për sulmet. Celulat në hije u konfirmuan nga agjencia e policisë së BE, Europol, që në një raportim në fund të Janarit, zyrtarët e inteligjencës besonin se grupi kishte “zhvilluar një komandë të jashtme të trajnuar për sulme si ato të forcave speciale”.

“Frëngjisht folësit të lidhur me Afrikën e Veriut, Francën dhe Belgjikën, rezultojnë të jenë ata që i drejtojnë këto njësi dhe janë përgjegjës për zhvillimin e strategjive të sulmeve në Europë”

, kështu deklaroi një zyrtar europian i sigurisë, që siç shkruan AP, kërkoi t’i ruhej anonimati, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste mbi këtë çështje.

Zyrtari në fjalë është familjar me interrogimet e ish – luftëtarëve që janë rikthyer në Europë. Disa prej tyre janë burgosur pasi u larguan nga ISIS, ndërsa të tjerë u dëbuan nga grupi. Në mesin e tyre bëjnë pjesë myslimanë dhe myslimanë të konvertuar nga e gjithë Europa.

“Luftëtarët e këtyre njësive janë të trajnuar për strategji në terren, eksplozivë, teknika përgjimi dhe teknika kundër përgjimi”

, deklaroi zyrtari.

Sipas tij, ndryshimi është se, në 2014 –ën, disa prej luftëtarëve të ISIS kishin pak javë kohë për t’u trajnuar, ndërsa sot strategjia ka ndryshuar. Zyrtari shprehet se ata kanë krijuar njëri speciale dhe trajnimi është shumë më i gjatë.

Objektivi duket se nuk është më që të vrasin sa më shumë njerëz, por të ndërmarrin sa më shumë operacione terrori, në mënyrë që armiku të detyrohet të shpenzojë më shumë para, ose më shumë fuqi në njerëz.

“Metoda të ngjashme janë zhvilluar nga al – Qaeda, por ISIS e ka çuar një stad më lart”,

shprehet zyrtari. Një tjetër diferencë është se luftëtarët po trajnohen që të operojnë individualisht, që do të thotë që jo domosdoshmërisht marrin urdhra nga bazat e ISIS në Raqqa, Siri, Libi apo tjetër kund në Afrikën e Veriut.

Në rastin e sulmeve të së martës, arrestimi i Abdeslam mund të ketë aktivizuar një plot që kishte kohë që ideohej.

“Të ndërmarrësh një sulm kaq të sofistikuar, të duhet trajnim, pranifikim, materiale dhe mundësi rrugëdalje”,

deklaroi Shiraz Maher, një zyrtar i Qendrës Kombëtare për Studimet mbi Radikalizmin në Kings College në Londër, që ka një prej database (bazë të dhënash) më të mëdha për luftëtarët dhe rrjetet e tyre.

“Edhe nëse do ta planifikonin aty për aty, autorëve të sulmeve në Bruksel do t’i duheshin të paktën 4 ditë”,

shprehet Maher, që ka zhvilluar intervista të gjata me luftëtarë të huaj.

Pyetja që ngrenë tashmë shumë zyrtarë të inteligjencës dhe sigurisë është se, sa luftëtarë të tjerë janë trajnuar dhe janë gati për sulme të tjera.

Një zyrtar i inteligjencës irakene, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht, tha se personat e rrjetit që ndërmorën sulmet në Paris, janë të shpërndarë nëpër Gjermani, Britani, Itali, Danimarkë dhe Suedi. “

Sëfundmi, një grup i ri është futur në Turqi”

, deklaroi zyrtari.

Të mërkurën, autoritet turke thanë se një prej kamikazëve që u vetëhodh në erë në Bruksel, Ibrahim El Bakraoui, u kap në Qershor pranë kufirit me Sirinë dhe u deportua në Hollandë, teksa Ankaraja paralajmëroi zyrtarët hollandezë dhe belgë se ishte “luftëtar i huaj terrorist”. Por ai u la i lirë nga autoritetet hollandeze, në mungesë të provave se kishte lidhje me ekstremistët.

Ministri belg i Drejtësisë, Koen Geens, deklaroi të mërkurën se autoritetet nuk kishin arsye për ta mbajtur El Bakraoui, sepse ai “nuk ishte i njohur për sulme terroriste, por si një kriminel i zakonshëm, që ishte në liri me kusht”.

Emri i fundit që doli në dritë këtë javë, Najim Laachraoui, rezultoi se ishte dhe personi që kishte bërë bombat dhe jelekët me eksploziv të përdorura në Paris, kjo sipas zyrtarëve francezë dhe belg.

Autorët e sulmeve përdorën eksplozivë të njohur si Triacetone Triperoxide, ose TATP, të krijuara nga përbërës shtëpiakë. Të dhënat e AND –së sugjerojnë se ai vdiq në sulmet e së martës, pasi u vetëhodh në erë në aeroport.

15 kilogramë TATP u gjetën në apartamentin e autorëve të Brukselit, sëbashku me disa materiale të tjera eksplozivi.

Personi i pa identifikuar, i kapur nga kamerat e sigurisë, që mban veshur një xhaketë të bardhë dhe kapele të zezë, mbetet në arrati, një i arratisur në një zinxhir që mbetet ende për t’u zbuluar.

The Associated Press/tvklan.al