Shoqata e ndërtuesve dhe ajo e ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme kanë deklaruar se do të ketë një rritje të çmimit të apartamenteve me 15%. Duke iu referuar lajmit që ka qarkulluar në një sërë mediash kombëtare, ekspertët në studion e “Rudina” në Tv Klan hodhën dritë rreth kësaj teme, që shumicës i intereson, por shumë pak prej nesh janë të mirëinformuar.

Ekspertja Armelinda Shtiza, duke e konsideruar si absurditet tha se vlera e rritjes nuk duhet të ishte kurrsesi 15%. Sipas saj, ky është një tatim-fitim shumë më i lartë nga vendet e Europës dhe nuk përpiluar nga ekspertët profesionistë.

“15 përqindëshi, unë si ish-punonjëse e Kadastrës së Shtetit dhe me një eksperiencë 27-vjeçare, praktikisht është një tatim-fitim shumë më i lartë nga vendet e Europës dhe nuk është i zbatueshëm apo i përpiluar nga ana e ekspertëve të mirëfilltë profesionalë. Nuk duhet të ishte kurrsesi 15%. Kjo është absurditet dhe pritet rivlerësimi që të ishte miratuar më 31 Korrik të 2024, që Kuvendi i Shqipërisë e bëri 5% dhe në Shtator të 2024 të futej në Fletoren Zyrtare. Nuk është futur akoma për vetë faktin sepse u analizua vetëm qyteti i Tiranës për çmimet e reja të referencës për metër katror, jo i gjithë Shqipërisë. Prandaj ndodhin transaksionet informale në kontratat e shit-blerjes sepse nuk janë “de facto” ato çmime që realisht shiten, vetëm nga tatim-fitimi, por jo se rrit çmimin. Çmimin e rrit kërkesa dhe vendi i vogël ku jemi ne, si Tirana, si bregdeti. Kërkesa është më e madhe se oferta”, tha ekspertja./tvklan.al